Themeluesi i “Intermedica”, mjeku Vasil Llajo i futet politikës, në listë të hapur të PS në Vlorë

13 Mars 2025, 18:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vasil Llajo

Ishte surprizë emri i mjekut të njohur, Vasil Llajo, si kandidat i Partisë Socialiste në listën e hapur të qarkut të Vlorës për zgjedhje e 11 majit. Llajo që është edhe biznesmen i suksesshëm është vendosur nga PS si i pari i listës në vendlindjen e tij, në rajonin e Sarandës.

Llajo pas suksesit si mjek, dhe në fushën e biznesit, tashmë synon ta përsëris këtë sukses edhe në fushën e politikës, për t’iu shërbyer sa më pranë banorëve të Sarandës.

Por kush është Vasil Llajo?

Lindur më 24 nëntor 1956 në Sarandë, Vasil Llajo ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Mjekësi dhe hapat e parë si mjek i hodhi në Spitalin e Sarandës, më pas e ushtroi profesionin e tij në Markat, Finiq dhe Delvinë dhe prej vitit 1986-1992 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si Shefi i Anestezisë-Reanimacionit në Departamentin e Neurokirurgjisë.

Ata që e njohin nga afër thonë se doktor Vasili, në çdo kohë dhe moment njerëzor nuk harroi kurrë të ishte një mjek i kujdesshëm, i vëmendshëm,i palodhur, të ushqente një dashuri për njerëzit dhe përkushtim ndaj punës me vullnetin për të qenë në shërbim të jetës, të atyre që e shikonin atë shpëtimtarin e jetës.

Në fillim të viteve ’90 nis rrugëtimin drejt Greqisë se bashku me bashkëshorten, Anilën. Nga viti 1992-1995 ushtroi profesionin e Mjekut Anestezist në Spitalin "KAT" në Athinë, një nga spitalet më të mëdhenj traumatologjik që ka Greqia.

Vasil Llajo e ka ndërtuar jetën e tij midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në prill 1995 hapi në Tiranë qendrën e parë të ekzaminimit skanerik, që mundësonte diagnostikimin direkt, një revolucion në diagnostikimin e pacientit në Shqipëri. Në maj të vitit 1996 hapi laboratorin Intermedica. Vasil Llajo nëpërmjet futjes së skanerit të parë në Shqipëri do të fillonte një proces revolucionarizues në shëndetësinë shqiptare. Ai u bë nismëtari, që pas instalimit të skanerit të parë në Shqipëri, në selinë qendrore të Siemens (Gjermani), ku prodhohen pajisje mjekësore, në hartën e projektuar në sallën dedikuar klientëve nga gjithë bota, të ndizej drita e kuqe për Shqipërinë.

Tashmë, jo vetëm një mjek i realizuar por edhe një menaxher i shkëlqyer në fushën e biznesit të mjekësisë, Dr. Llajo është pronari i klinikës “Intermedica” rrjeti i të cilës shtrihet me dhjetëra filiale në të gjithë vendin, ku punojnë qindra profesionistë të specializuar.

Vasil Llajo asnjëherë nuk e ka harruar Sarandën, ku tani kandidon edhe për deputet.

Doktor Vasil Llajo është nderuar para një viti edhe me një certifikatë mirënjohjeje nga Bashkia e Sarandës, pasi dha një kontribut të çmuar në rinovimin e muzeut të gjimnazit “Hasan Tahsini” në qytetin e tij të lindjes.

Vetë themeluesi i "Intermedica”, doktor Vasil Llajo asnjëherë nuk e ka fshehur lidhjen e tij të ngushtë me qytetin e lindjes dhe dashurinë që ka për të.

Në një intervistë të dhënë para disa kohësh ai thoshte se “qyteti i Sarandës më ka latuar si individ, vetë struktura arsimore e këtij qyteti ka qenë në nivele të larta dhe shkolla e mesme ishte ndër më të spikaturat në Republikë me shumë studentë ekselentë. Saranda ishte guri i themelit për mua”.

/VoxNews

Video