Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ju ka kërkuar deputetëve që në ndryshimet e radhës të kodit zgjedhor të konsiderohet mundësia që numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultatit të bëhet në qendrat e votimit, siç ka qenë përpara vitit 2001. Këtë propozim Celibashi e dha gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve.
Sipas Celibashit, propozimi "të numërohet aty ku votohet" është e mundur të implementohet tani që janë bërë disa përmirësime në lidhje me sigurinë e procesit.
“Ka nevojë për t’u rikonsideruar dhe procedurat e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit të votimit. Mundet të konsiderohet edhe varianti i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit në qendrat e votimit, tashmë që kemi disa përmirësime në lidhje me sigurinë e procesit”, tha Celibashi.
Po ashtu, Celibashi parashtroi edhe nevojën e qartësimit dhe përmirësimit të rregullave të financimit të partive politike dhe përdorimin e aseteve publike në fushatë, përfshi këtu administratën.
Sipas kreut të KQZ, në zgjedhjet e ardhshme do të jetë e nevojshme shtrirja në njësi të tjera e votimit dhe numërimit elektronik.