“Vijesti”: “Ballkani i Hapur” është një histori dhe ide amerikane
Gazeta kryesore e Malit të Zi, “Vijesti”, në një analiza të gjatë për një presidentin malazez Milo Gjukanoviç, jep mes të tjerash një lajm të mirë lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Gazetari Zeljko Panteliç shkruan se Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut janë shumë pranë anëtarësimit në BE. Sipas shkrimit, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Tirana kanë perspektivën për t’u bërë anëtare të plota të BE-së, ndërsa Kievi, Kishinau, Tbilisi, Sarajeva dhe Prishtina do të jenë pjesë e komunitetit politik europian, por do të kalojnë në një nivel të dytë të BE-së.
Në shkrim theksohet se pas këtij skenari qëndron Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka mbështetjen e të gjithë anëtarëve kryesorë në BE. Në këtë kontekst, Parisi, Berlini dhe Brukseli punuan fuqishëm për të dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe dhënien e statusit të kandidatit për BiH, së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë.
Gjeneratori i trendit të ri është Macron, pasi ai ka ndryshuar qëndrim dhe tani beson se katër vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të stimulohen për të përshpejtuar integrimin në mënyrë që të anëtarësohen brenda kushteve të pranueshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Tirana do të integrohen kollaj, përkundrazi procesi do të jetë shumë meritokratik, i kushtëzuar, i bazuar në merita dhe i kthyeshëm. Prandaj, shtetet do të mund të regresojnë në integrimin evropian dhe jo vetëm në progres.
I vetmi vend që mund të kërcejë nga një tren në tjetrin, pra nga perspektiva e hyrjes në komunitetin politik evropian në shanset për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së, është Bosnja dhe Hercegovina. Problemi është se jo të gjithë anëtarët e BE-së mendojnë kështu, ka disa, mes tyre me shumë ndikim, të cilët janë të bindur se Sarajeva nuk ka kapacitet për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Nga ana tjetër, Polonia beson se Serbia nuk e meriton të jetë në grupin e vendeve me perspektivë për anëtarësim të plotë.
Burimet mediatike në Malin e Zi dhe institucionet evropiane nënvizojnë se “Ballkani i Hapur” është një histori dhe ide amerikane, por që nuk është problem, pasi BE dhe SHBA janë partnerë. BE-ja ka një pozicion parimor për të qëndruar pas çdo nisme që është gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në vlerat evropiane të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Nëse Ballkani i Hapur përfshin Malin e Zi, Kosovën dhe BiH, do të ketë mbështetjen absolute të BE-së. Ne nuk kemi asnjë problem me Ballkanin e Hapur si ide, shqetësimi ynë është që ai të mos jetë i pjesshëm dhe që në pak vite të mos kontribuojë në ndarje dhe rivalitete të reja në rajon, që do të çonin në destabilizimin. BE po frenohet sepse dëshiron të shohë nëse tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të hyjnë gjithashtu në Ballkanin e Hapur. Qëllimi ynë është të parandalojmë çdo burim jostabiliteti. Një Ballkan i hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës në mënyrë që të funksionojë dhe të ketë kuptim dhe t’i shërbejë një qëllimi. Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë plotësues, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe mund të sjellin përfitime për të gjithë me kusht që të respektohen parimet dhe vlerat evropiane, duke filluar nga gjithëpërfshirja”, theksoi burimi i “Vijesti” në Bruksel.