Reforma territoriale, Berisha kërkon kthimin e komunave në të gjitha zonat ku ka më shumë se 1300 banorë

31 March 2026, 17:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Reforma territoriale, Berisha kërkon kthimin e komunave në të
Sali Berisha

Pas Partisë Socialiste që në mbledhjen e grupit parlamentar tregoi planin e saj se si duhet bërë reforma administrativo-territoriale, edhe demokratët duket se kanë gati draftin e tyre.

Sali Berisha mblodhi në një tryezë ekspertët dhe shoqërinë civile për të treguar vizionin e tij për reformën territoriale. Sipas lideri demokrat reforma e 10 viteve më parë ka dështuar dhe ka shpopulluar vendin, ndaj sipas tij zgjidhja është kthimi te komunat për në zonat me një numër të caktuar banorësh.

“Duhet të kthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore ku ekzistojnë një numër i caktuar banorësh. Unë nuk mund të them aty ku nuk ka banorë, se ajo është proces i gjatë i ripopullimit. Por duhet të rikthehen të gjitha zonat kodrinore e malore në të cilat ka 1500 ose 1300 banorë”.

Si shembull, ai përmendi Kamzën, që është qyteti i gjashtë më i madh në Shqipëri sipas censusit të 2011, si dhe Sukthin, që aktualisht ka rreth 110 mijë banorë dhe që është i “shuar” administrativisht.

“Franca numëron 36 mijë komuna, potenciali më i madh bujqësor i Europës, dhe ka komuna me 1500 banorë. Ndaj dhe ne duhet të rikthejmë me përparësi në zonat kodrinore malore shërbimet dhe komunat si thirrja dhe mundësia e fundit për të mos i përjashtuar nga territori.

Duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytetet satelite të qyteteve të mëdha. Duhen të rikthehen bashkitë apo komunat, sido që të jetë termi. Kamza është qyteti i gjashtë në Shqipëri sipas censusit të 2011. Duhet të krijohen bashkitë në mënyrë që aty ku është e mundur.

110 mijë banorë ka Sukthi, tani është i shuar. Sukthi është dy herë sa Shijaku për numër banorësh, por për Edi Ramën nuk ka rëndësi. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë që duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike ku të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit”, tha Berisha.

Opozita nuk ka artikuluar ende zyrtarisht se sa bashki kërkojnë që të këtë në territor, por mësohet se në komision do t’i paraqesin socialistëve variantin me rreth 100 bashki.

Sa i takon rajoneve, duket se PD është kundër versionit të shumicës pasi sipas tyre centralizohet pushteti.

“Ndaj dhe ne i qëndrojmë rajoneve të ngritura sipas modelit të vendeve anëtare të BE-së. Rajonet janë të domosdoshme, duhet të jenë me të gjithë kapacitetet për të ju përgjigjur Europës së rajoneve”.

Berisha premtoi se demokratët do të zbresin në terren për të marrën edhe mendimin e qytetarëve e më pas do të dalin me një variant final të tyre.


Video