Spiropali-Braçe, dy frontet e papritura për Edi Ramën

31 March 2026, 16:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Spiropali-Braçe, dy frontet e papritura për Edi Ramën

Partia Socialiste, e cila është përballur me shumë skandale ndër vite, ndërsa është duke qeverisur prej 13 vitesh, publikisht është dukur gjithmonë e bashkuar.

Rasti “Balluku”, papritur ka trazuar rëndë socialistët dhe ka krijuar pakënaqësi, të cilat tashmë kanë dalë në sipërfaqe dhe nuk mund të mbulohen.

Elisa Spiropali është simboli i kësaj pakënaqësie që ka shpërthyer në PS, dhe jo pa të drejtë, pasi është goditur rëndë nga Edi Rama, pikërisht për shkak të Ballukut.

Kryesocialisti është përpjekur ta shuajë këtë pakënaqësi, deri edhe me kërcënime fizike, të tipit “do ju sakatoj”.

Por nuk ia ka dalë dot.

Dhe reagimi i fundit i Spiropalit, tregon se ajo nuk do të heshtë dhe do të jetë një zë kritik brenda Partisë Socialiste, që në këto momente nuk i duhet Edi Ramës.

Fronti i dytë dhe i papritur, vjen nga Erion Braçe.

Ai ka shpallur në mënyrë befasuese, kandidaturën për Bashkinë e Tiranës.

Kjo, në një kohë që tashmë Rama e ka zgjedhur kandidaten, e cila është Ogerta Manastirliu.

Kjo e fundit prej kohësh sillet si kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Tiranës, duke bërë pastime të përditshme nga Tirana.

Braçe thotë se do t’i shkojë deri në fund kërkesës për kandidimin e tij, ndërkohë që për momentin, Rama nuk ka folur.

Por është e qartë që kërkesa e Braçes është bezdisëse për të dhe një konflikt i mundshëm edhe me këtë të fundit, do të dobësonte  edhe më pamjen e jashtme, se në PS çdo gjë shkon mirë dhe Rama ka kontrollin e çdo zhvillimi.

Ai po hesht, me shpresën se Braçe do të tërhiqet vetë nga gara, gjë që nuk ka gjasë të ndodhë.

Nëse pastaj pas Braçes e Spiropalit rreshtohen edhe personazhe të tillë si Pandeli Majko apo Fatmir Xhafaj, që duket qartë që janë të mërzitur me Ramën, për të do të ishte një problem vërtet i madh.

Ndaj dhe duket se po reflekton me qetësi, për të vendosur s’i të veprojë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video