Kryeministri Edi Rama, me anë të disa shënimesh në Twitter ka zbuluar disa detaje nga samiti i NATO-s që po zhvillohet në Madrid të Spanjës.
Rama thotë se ka dëgjuar nga presidentin amerikan Joe Biden fjalë të mira për Shqipërinë”.
Sipas Ramës, Biden ka kërkuar që të organizojë diçka bashkarisht me Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkruan Rama.
Ai thotë më tej se vlerësoi “marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh”.
Lidhur me rajonin dhe raportet me Rusinë, Rama thotë se “shpjegova dallimet e pozicioneve në Ballkan në raport me Rusinë e me sanksionet ndaj saj,arsyet e këtyre dallimeve dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit e të nxitjes së bashkëpunimit rajonal,duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s”.
Rama ka kërkuar që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën - pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, thekson Rama.