Kryeministri Edi Rama ndodhet në Britani të Madhe ku po zhvillon një vizitë zyrtare, e para vizitë zyrtare e një Kryeministri shqiptar në Londër.
Para takimit me kryeministrin britanik Rishi Sunak, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama është pritur në një takim nga kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka dhënë detaje nga takimi ku tregon se Hoyle ka shprehur keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve.
“Takim me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, i cili shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Rama.
Gjatë këtij takimi, Rama shoqërohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.