Belerit i shkon "ters" në Tiranë! Rama anulon takimin zyrtar, Kuvendi i mbyll derën dhe qytetarët e presin me fyerje (VIDEO)

29 Tetor 2024, 12:10Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fredi Beleri në derën e Kuvendit, duke pritur që dikush t'ia hapë

Kryeministri Rama ka anuluar takimin zyrtar me delegacionin e eurodeputetëve të Komitetit te Stabilizim Asociimit që po viziton Tiranën.

Në agjendën e ekipit të deputetëve europianë, pjesë e të cilëve është edhe Alfred Beleri, ishte parashikuar një takim me kreun e Qeverisë mëngjesin e sotëm në orën 10:00 por sipas mediave ky takim është anuluar një ditë më parë nga selia e Kryeministrit për shkak të impenjimeve të Ramës.

Një prej eurodeputetëve pohoi për gazetarët se gjithsesi Kryeministri kishte gjetur kohën për t’i shkuar herët në mëngjes në ambientet e hotelit ku po qëndron ky delegacion.

Mbetet e paqartë nëse në këtë takim informal ishin të gjithë eurodeputetët, përfshirë edhe Fredi Belerin. Vetë ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, tashmë pjesë e Parlamentit Europian, kur u pyet drejtpërdrejtë nga gazetarët, ngriti supet dhe nuk konfirmoi nëse ka shtrënguar duart me Ramën apo nëse ishte pjesë e takimit informal mes Kryeministrit dhe eurodeputetëve në hotel mëngjesin e sotëm.

Gjithashtu Kryeministria nuk konfirmon që të ketë pasur një takim mes Ramës dhe Belerit.

Beleri më pas, i është bashkuar me vonesë takimit me grupet parlamentare dhe në momentin që ka mbërritur në Kuvend, e ka gjetur derën të mbyllur. Ka qenë personeli ai që më pas i ka hapur derën duke e lejuar të jetë pjesë e takimit.

Por teksa i drejtohet Kuvendit, ai është përballur me akuza nga kalimtarë të rastit.  Belerit i kujtohet nga një qytetar Fatmir Shehu, oficeri i vrarë në Masakrën e Peshkëpisë, si dhe roja Arsen Gjini, një ngjarje për të cilën ka qenë i akuzuar. Po kështu ai është përballur me fyerje dhe akuza.

“Si ndihesh që e ke…Fatmir Shehun atje, si ndihesh? Po Arsen Gjinin zoti Beleri? Turp! O rrugaç kush të futi ty deputet?”, dëgjohen qytetarët, teksa Beleri nuk ka reaguar por ka vijuar rrugën.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by VOX News (@voxnews.al)


Video