Dumani e përgënjeshtroi, Berisha insiston: Prokurori është kërcënuar nga Rama që të mos hetojë Ballukun

30 October 2025, 11:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dumani e përgënjeshtroi, Berisha insiston: Prokurori është
Sali Berisha

Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi pak ditë më parë në Parlament se prokurori Dritan Prençi nuk i ka paraqitur asnjë shqetësim në lidhje me hetimin që përfshin zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti sot publikisht pretendimet e tij se prokurori është kërcënuar.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka komunikuar me prokurorin e çështjes, duke ushtruar, sipas tij, ndikim të papërshtatshëm mbi procesin hetimor.

“Altin Dumani, në vend që ta mbështesë, i ka thënë prokurorit ‘mendo për kokën tënde’,” u shpreh Berisha. 

Tre ditë më parë, gjatë seancës plenare, Dumani sqaroi se “prokurori Prençi dhe të gjithë prokurorët e SPAK kanë mbështetjen time të plotë. Deri tani nuk më ka paraqitur ndonjë problem për ndonjë kërcënim ndaj tij. Në asnjë rast nuk kam bllokuar hetime, por jam munduar të krijoj një ambient ku prokurorët ndihen të lirë për të ushtruar ndjekjen penale.”

Debati vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së kryeministrit Rama në Berlin, ku ai theksoi se “drejtësia ka punën e vet, ne tonën”.


Video