
Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe qeverisë.
Rama bën me dije se në fokus kanë qenë ecuria e komunikimit me organizatat socialiste në kuadër të “Punëve të Shqipërisë”, procesi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe kalendari i nismave ligjore të lidhura me integrimin. Po ashtu, është folur edhe për “Majin e Europës” dhe aktivitetet që shënojnë 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
“Sot në mbledhjen e zgjeruar të fundmuajit, me grupin parlamentar dhe qeverinë, diskutuam për ecurinë e procesit të komunikimit me organizatat socialiste për “Punët e Shqipërisë”, për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, e për kalendarin e nismave ligjore të lidhura me anëtarësimin, si edhe për “Majin e Europës” dhe ritakimet e brezave në vigjilje të 35-vjetorit të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.
Megjithatë, përtej axhendës zyrtare, edhe kjo mbledhje nuk ka kaluar pa tensione të brendshme. Raportimet nga brenda takimit bënë me dije për përplasjet mes kryeministrit Rama dhe ish-ministres dhe deputetes Elisa Spiropali.
Sipas burimeve kryeministir Rama kishte kritikuar Spiropalin sa i përket sjelljes së saj dhe postimeve të bëra në rrjetet sociale. Madje, gjatë fjalës së tij kryeministir ka përmendur edhe masat ekstreme ndaj saj, nëse situata do të përsëritej.
"Herën e parë nuk erdhe në votim. Herën e dytë bëre çarçafin (i referohet postimit në Facebook) dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi," ka thënë Rama, duke e paralajmëruar për përjashtim nga Grupi Parlamentar.