Ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime? Kjo është pyetja që ngre kryeministri Edi Rama, teksa ka reaguar sërish mbi aksionin për konfiskimin e pallateve pa leje, ku deri më tani është bërë publike vetë pallati 9-katësh i biznesmenit Julian Morina i ndërtuar në një nga zonat më të lakmueshme të Tiranës, në zonën e Liqenit të Thatë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bën me dije se paralelisht me këtë aksion ka nisur dhe një hetim mbi inspektorët apo policët e zonave ku janë ndërtuar pallate pa leje.
Kryeministri shton më tej se numri i ndërtimeve pa leje sot është shumë më pak sesa dje dhe se ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore.
Rama thekson se po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time.
Postimi i plotë:
KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?
E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t'iu mbushur mendjen atyre që s'duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh nga të gjithë ata që janë të interesuar të informohen:
E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se sa deri dje, kur mbizotëronte rrumpalla e kudondodhur.
E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, me kronometër apo kohë të shkurtër. Kjo është një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit dhe i ligjit në terren nuk merret kollaj, po merret hap pas hapi, me mund e durim të madh.
E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe mbështetet në një vullnet të papërkulur nga vitet, për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.
E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.
E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë, për gjëra që mesa duket do t'i bënin vetë po të ishin në vendin tim:
Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.