Pas 2 seancave të dështuara, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet online.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 12:00 dhe mbetet me interes për të parë nëse do të jetë i pranishëm edhe Enkelejd Alibeaj, bashkëkryetari i Komisionit, i cili përgjatë 2 seancave të kaluara nuk ka qenë i pranishëm.
Vendimi për ta bërë online erdhi pas kaosit që u shoqërua në të dyja seancat, pasi opozita e Gazment Bardhit nuk dëshiron Enkelejd Alibeaj si bashkëkryetar, por Oerd Bylykbashin.
Mirëpo, Lulzim Basha ka refuzuar që të dakordësohet në këtë pikë me palën tjetër të opozitës dhe është i palëkundur në këtë drejtim.
Përsëritet skenari, opozita bllokon punën për reformën zgjedhore, nga ana tjetër, socialistët kanë deklaruar se do ta bëjnë Reformën Zgjedhore në të gjitha mënyrat.