“Nuk është qeveria Rama, por qeveria Balluku”, Bardhi: Nëse bie Balluku, bie qeveria

17 Nëntor 2025, 22:32Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bardhi, Balluku dhe Rama

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, ku demokratët kërkuan largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK lidhur me tunelin e Llogarasë.

Bardhi theksoi se Balluku është sot figura më e fuqishme brenda qeverisë dhe, sipas tij, përfaqëson boshtin e aferave korruptive të mazhorancës.

“Nuk është qeveria Rama, është qeveria Balluku. Sot kemi qeverinë e Belinda Ballukut,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ndikimi i saj në qeverisje ka tejkaluar çdo figurë tjetër të kabinetit.

Sipas Bardhit, çdo zhvillim ligjor që preket zv/kryeministren përbën një tronditje të drejtpërdrejtë për gjithë qeverinë.

“Unë besoj se rënia e zv/kryeministres është goditje ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së Edi Ramës,” tha ai, duke shtuar se Balluku “ka ekzekutuar çdo aferë korruptive të kësaj qeverie”.

Bardhi shkoi edhe më tej, duke e konsideruar përgjegjësinë e saj të lidhur ngushtë me vetë kryeministrin.

“Rënia e saj është rënia de-facto e qeverisë së Edi Ramës. Kështu e shoh unë nga fuqia që ka ajo dhe nga sasia e aferave që ka bërë së bashku me kryeministrin”, u shpreh Bardhi në News24.

 

 


Video