Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e organizuar ditën e sotme nga opozita përballë Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se opozita po proteston kundër shtetit mafioz, përballë asaj që ai e cilësoi si Pallati i Krimit (Kryeministria), brenda të cilit sipas tij, qëndron diktatori Edi Rama.
Berisha shtoi gjithashtu se gjatë qeverisjes së tij, Rama ka mbjellë skamje në gjithë Shqipërinë dhe shpopulloi vendin.
Ai tha gjithashtu se përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira janë përballur me eurot e krimit të organizuar, me burimet shtetërore dhe skuadrën e patronazhistëve.
“Miqtë e mi, liria erdhi si një luftë, të cilën me asnjë llojë përpjekje nuk mund ta ndalësh. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Pikërisht, kjo është platforma qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin.
Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij, më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare. Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zvogëloi ata dhe i riktheu 100 vite pas. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, lubitë të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre, kanë mbjellë skamje në këtë vend, si në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës, me ushtrinë terroriste të patronazhistëve të votës, me të gjitha burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithëanshme të shtetit mafioz, vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë e tmerr nga krimet që kanë bërë”, tha Berisha.
Sali Berisha u shpreh se është çështje kohe që qeveria Rama të bjerë.
Kryedemokrati tha se anëtarët e qeverisë Rama do ia mbathin si minjtë, njësoj siç sipas tij, ja mbathën edhe kupola e regjimit komunist.
Berisha shtoi gjithashtu se kryeministri Rama është i pashpresë dhe sipas tij, ai do i bashkohet në burg kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Shikoni si e kanë rrethuar, me policë dhe ushtarë. Edvin përfundimisht je i pashpresë, fundi yt nga ky shesh do të vijë. Ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili është i kalbur nga koka te këmbët dhe nuk pritet gjë tjetër veç betejës dhe qëndrimit tonë, për ta arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me Skapin e partisë.
Por idealet janë forca nukleare e njeriut dhe shoqërisë, që asgjë nuk i reziston. Ndaj edhe ju ftoj në këtë mision që të vazhdojmë betejën tonë si misionarë. Gjysma e kaq sa jemi këtu, Erion Velinë, Lali vjedhësin, e nisëm atje ku e ka vendin.
Këta që kemi këtu, Lubinë me Ramaduron do i nisim te Erion Veliaj. Janë këtu rreth 2000 policë. Ky është fundi i regjimit. Edhe në diktaturën komuniste kështu bënin, na rrethonin me policë e ushtarë, por në fund ja mbathën si minjtë. Si minjtë do ja mbathin edhe këta, s’kanë shpresë”, tha mes të tjerash Berisha.
Në fjalën e tij para protestuesve te kryeministria, Sali Berisha u shpreh se Foltorja e dytë ka si synim të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.
“Ndaj, për të kuptuar pak misionin hapni sytë si e ka rrethuar pëllëmbë me policë e gardistë e ushtarë. Rama je i pa shpresë. Edvin fundi yt nga ky shesh do të vijë”, tha ai.
Lideri i demokratëve shtoi se çdo javë zbulohen afera të rënda të këtij narkoregjimi që sipas tij është kalbur dhe pret vetëm vrullin e qytetarëve që të shkërmoqet.
“Kjo javë tregoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe pret vrullin tonë, zemërimin tonë për ta fshirë nga historia. Po këtë javë, në vendin më të sigurt, të supozuar, masakra, kur bandat e qeverisë likuidojnë banda të tjera të qeverisë. Ajo që kulmoi me qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja e narkoparlamentit. Rama dhe banda e tij të dalë nga dhunimi i votës, grabitja e saj, të dalë nga paratë e drogës, aferat më të mëdha korruptive, kanë frikë nga fjala e opozitës. Ndaj ata zgjodhën për t’u mbrojtur ndaj jush të vendosin terrin, errësirën.
Në 10 seanca parlamentare, opozita u lejua të debatonte vetëm në një. Në 10 seanca, qeveria e përbërë nga individë të lidhur me krimin, u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë, tmerr nga ju. Ajo nuk del dot para jush. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve, të cilat u faktuan si një farsë nga komuniteti ndërkombëtar. U hodh poshtë kërkesa për komisionin McGonigal, pasi Rama është po aq fajtor. U hodh poshtë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë”, tha Berisha.