Non Grata nga SHBA, Aqif Rakipi fajëson Lulzim Bashën

13 April 2022, 12:22Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Non Grata nga SHBA, Aqif Rakipi fajëson Lulzim Bashën
Në foto: Ish kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish deputeti

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli sanksione ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi, aleat i shumicës socialiste, si dhe pronarit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Rakipi përshkruhet si një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar” thuhet në njoftim, ku shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë.

Në një intervistë për 5Pyetje ish-deputeti Aqif Rakipi u shpreh se e keqja për sanksionet i ka ardhur nga Lulzim Basha, denoncimet dhe akuzat e të cilit kanë qenë të shumta në vitet e fundit.

Kujtojmë se Aqif Rakipi në mënyrë indirekte i ka dhënë rreth 30 mijë vota qeverisjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Këto vota mund të kenë rezultuar vendimtare në fitimin e mandatit të tretë të Edi Ramës si kryeministër.

Djali i Rakipit, Ornaldo Rakipi u zgjodh deputet me rreth 16 mijë vota në Tiranë, ndërkohë që i afërmi i Rakipit, Saimir Hasalla mori mbi 11.500 vota në Elbasan.


Video