Nisma Thurrje, partia e Endri Shabanit ka deklaruar sot mbështetjen e kandidatit opozitar për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj.
“Tirana ka nevojë për një frymë të re, për njerëz që nuk janë pjesë e sistemit që e ka rrënuar”, thuhet në reagimin e Nismës Thurrje, ku vlerësohet roli i Binajt si aktivist dhe gazetar.
Binaj, aktor humori i spektaklit “Portokalli”, dhe së fundmi moderator i emisionit investigativ “Piranjat”, mori mbështetjen kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Binaj do të garojë përballë Ogerta Manastirliut nga Partia Socialiste, dhe Arlind Qorrit nga lëvizja Bashkë.
Reagimi i Nismës Thurrje:
Nisma Thurje mbështet Florjan Binajn për kryetar bashkie
Sot, Kryesia e Nismës Thurje vendosi që në këto zgjedhje të mbështesim kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj.
Ky vendim lidhet kryesisht mbi vlerat që Florian Binaj ka treguar në gjithë këto vite aktivizëm.
Si aktivist, Flori ka treguar përkushtimin të jetë gjithmonë në anën e qytetarëve. Me të kemi protestuar përkrah në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të lumit Vjosa, në protestat kundër rritjes së çmimeve apo shumë padrejtësive të tjera sociale.
Si gazetar Flori ka treguar guximin për të denoncuar korrupsionin. Ai ka folur hapur, pa filtra. Në një qytet ku propaganda ka zëvendësuar të vërtetën, zëri i tij ka mbetur i pastër dhe pavarur.
Tirana ka nevojë për një frymë të re, për njerëz që nuk janë pjesë e sistemit që e ka rrënuar.
Prandaj, jemi të bindur si kryetar bashkie Flori do i japë shpresë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Si këshilltarë bashkiak, do të ishte të punonim me kryetarin Florian Binajn për të siguruar ushqimin në shkolla, për transportin publik dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet që i përket shumicës, jo interesave të pakicës.