Instituti Parlamentar ka bërë publikë emrat e disa personaliteteve kombëtare që do të nderohen gjatë muajit tetor, por ajo që ka shkaktuar debat të fortë është përfshirja e ish-diktatorit Enver Hoxha në këtë listë.
Vendimi mban firmën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e ka renditur Hoxhën përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina.
Përfshirja e udhëheqësit komunist që mbajti Shqipërinë të izoluar për 45 vite, duke burgosur dhe internuar mijëra qytetarë, është parë si një fyerje e rëndë për viktimat e diktaturës. Kritikët e cilësojnë vendimin si dëshmi të nostalgjisë së thellë që një pjesë e mazhorancës socialiste mban ende për epokën e errët të komunizmit.
Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është përshkrimi zyrtar që Kuvendi i Shqipërisë i bën Hoxhës, duke e quajtur “Udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”.

Vendimi tashmë ka ndezur një tjetër debat të nxehtë mbi mënyrën se si qeveria e sotme po trajton trashëgiminë e diktaturës komuniste.
Ky fakt është denoncuar edhe nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili ka deklaruar se kjo është tallje dhe se do ti kërkonte Kuvendit të tërheqë menjëherë atë dokument dhe të kërkojë ndjesë.
Reagimi i Erald Kaprit:
Po si mund të talleni në këtë formë?
Si ka mundësi, që në materialin e dërguar mbi personalitetet kombëtare, vendosni edhe Enver Hoxhën, e madje si udhëheqës i vlerësuar me tituj?
Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar?
I kërkova Kuvendit të tërheqë menjëherë atë dokument dhe të kërkojë ndjesë!