
Partia Socialiste ka miratuar sot ligjet që ishin në rend dite, por opozita kundërshton votimin për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin 68 deputetë. Seanca prodhoi konflikt për shkak të votimit.
Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj deklaroi se ishin 68 deputetë të pranishëm që kishin ngritur kartonin jeshil dhe kishin marrë pjesë në votim. Por ky numër sipas opozitës nuk është i mjaftueshëm për të vijuar me miratimin me pikat e tjera të rendit të ditës, projektligjet kërkonin shumicë të thjeshtë votash, por në sallë ishin 68 depuetë dhe referuar rregullores së kuvendit, nenit 55 të saj pika 2; kuorumi për çeljen e votimit parlamentar është të paktën 71 deputetë.
Përveçse në çelje të kuorumit në nisje të votimit, Felaj nuk tregoi më pas sesa deputetë kishin marrë pjesë në miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës duke ngritur paqartësi për procedurën e ndjekur të kuvendit. Mënyra sesi u votua ngrit tymnajë proceduriale për shkak të votave që ishin në sallë
Ndër ligjet e miratuara sot ishin ai për burimet ujore, ligji për ndryshime në arsimin dhe ligji për turizmin.