'Na duhen kur kemi nevojë'/ Raportet Berisha dhe Rama me ambasadorët amerikanë në largim (Foto)

10 December 2022, 08:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

'Na duhen kur kemi nevojë'/ Raportet Berisha dhe Rama me

Për herë të parë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, qysh kur zuri atë karrige, dha lajm. Jo se ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim i kishte mbaruar mandati, jo se ministria shkeli të gjitha procedurat pasi nuk ka asnjë autorizim apo kompetencë të raportojë për këtë çështje, jo se reagoi me dilentantizëm për një çështje që nuk i takon asfare, jo se shkeli etikën diplomatike duke mos e cituar ambasadoren as me emrin e plotë, porse kjo e fundit, paskësh shkelur në “kallon” e qeverisë.

Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.

Ky është rasti i dytë në historinë e shërbimit të 12 kryediplomatëve amerikanë në Tiranë, që ministria e Jashtme njofton për largimin e një ambasadori për shkak së i ka mbaruar mandati.

Në qershor të vitit 2013, pak para zgjedhjeve parlamentare, kur në pushtet do të vinte Edi Rama, nga ministria e Punëve të Jashtme doli një deklaratë mbi largimin e ambasadorit Aleksandër Arvizu dhe mbërritjen e një tjetri (që do të kishte një marrëdhënie shumë më të komplikuar me PD), Donald Lu, shkruan SI.  

Njoftimi ishte pak a shumë i njëjtë si ai i sotmi.

(screenshot e njoftimit nga Ministria e Puneve te Jashtme ne qershor 2013)
(screenshot e njoftimit nga Ministria e Puneve te Jashtme ne qershor 2013)

Një veprim i nxituar diplomatik që nuk hezitoi ta citonte fjalë për fjalë më vonë Berisha si kryeministër pak para së të humbte zgjedhjet gjatë një konference shtypi.

Atë kohë qëndrimet e Sali Berishës si ish-kryeministër dhe ish-ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu ishin të hapura.

Filluan me etiketimin e Berishës si “burrë shteti” kur (Arvizu) mori mandatin, e përfunduan (në fund të detyrës), si i ngjashëm me ish-presidentin e fundit të regjimit komunist, Ramiz Alinë.

Kësaj here, përplasjet nuk ishin aq të dukshme. Edhe pse Rama lëshonte ndonjë piskamë. Edhe pse qëndrimet e ambasadores amerikane mbi zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, hetimi ndaj disa politikanëve të caktuar, ecuria e reformës në drejtësi, ecejaket me gjyqtarët e drejtësisë, paralajmërimet për presione ndaj tyre, kritikat për inceneratorët ishin kambana ndaj qeverisë.

Në fund, Rama e nxori pezmin përmes Olta Xhaçkës.

Sot raportet me SHBA janë krejt ndryshe nga viti 2013. Por, ndryshe nga Sali Berisha i etiketuar nga SHBA si person “non grata” dhe "një deputet pa emër” kur reaguan për grushtin ndaj tij, Ramës ia ka lejuar egoja një abuzim të vogël diplomatik. Se deri kur, kjo pritet për tu parë. 



Video