Ilir Meta ka hedhur poshtë tezat se rrëzimi i Edi Ramës mund të vijë përmes përçarjes apo “kushteve morale” të imponuara opozitës, duke theksuar se problemi kryesor mbetet sistemi zgjedhor dhe institucional, që sipas tij i ka dhënë Ramës kontroll absolut mbi pushtetin.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Meta akuzon kryeministrin se për vite me radhë ka drejtuar jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën përmes pazareve politike, bojkotit të qëllimshëm dhe deformimit të reformave, ndërsa bën thirrje për një bashkim real opozitar rreth ndryshimit të sistemit antikushtetues dhe rikthimit të votës së lirë të qytetarëve.
Postimi i Ilir Metës
Për gati 10 vite Edi Rama drejtoi me “sukses të plotë” edhe opozitën, përveçse Qeverinë, Parlamentin dhe çdo institucion tjetër, veç Presidencës deri më 24 korrik 2022.
Kjo është një “meritë” dhe nuk mund t’i mohohet.
Por kjo, më shumë se “meritë” e tij për të korruptuar edhe lidershipin e opozitës, ka qenë dobësi dhe pabesi e atyre që kanë pranuar të shiten për interesa personale, por edhe për hallet e tyre me drejtësinë.
Sot, me të drejtë debatohet për Reformën Territoriale dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në të, edhe pse Edi Rama i ka 83 + 3 votat për ta miratuar në fund, sipas oreksit të tij, për përqendrimin e pakufishëm të pushtetit në duart e tij.
Fatkeqësisht, Edi Rama e miratoi variantin që dëshironte edhe kur kishte vetëm 65 vota nga 84 që i duheshin, 11 vite më parë.
Kjo ndodhi me vetëdijen e plotë të lidershipit të PD-së në atë kohë, që jo vetëm bojkotoi Komisionin e Reformës, por mbi të gjitha kurrë nuk dha një alternativë të sajën, që iu kërkua në atë kohë deri në 100 apo 110 njësi vendore.
Të gjithë ata që kanë qenë në Konferencën Kombëtare të Partisë Demokratike në atë kohë, dedikuar vetëm pushtetit vendor, besoj e kujtojnë pjesëmarrjen atje të të ndjerit z. Bashkim Fino, por edhe të z. Petrit Vasili, që në emër të mazhorancës (PS-LSI) i kërkuan PD-së të paraqiste një variant të sajin për t’u miratuar me konsensus.
Pjesëmarrja e z. Fino dhe z. Vasili u bë vetëm falë insistimit tim që kjo reformë të bëhej vetëm me konsensusin e PD-së dhe opozitës.
Por kurrë nuk u paraqit një platformë nga ana e PD-së (edhe pse, në dijeninë time, ishte përgatitur një e tillë nga ekspertët e saj).
Kjo ndodhi sepse “matematikani” i shquar që drejtonte PD-në kishte marrë një ofertë jopublike nga Edi Rama: atij i dilte llogaria më mirë të bojkotonte deri në fund dhe bojkotimin ta paraqiste si alibi, por edhe që në disa bashki ku do kandidonin përfaqësues të LSI-së në emër të koalicionit PS-LSI, nën rrogoz PS-ja do të punonte për kandidatët e “matematikanit”.
Dhe kështu ndodhi.
“Matematikani” kurrë nuk paraqiti një projekt alternativ pranë Komisionit Parlamentar dhe, si shpërblim, mori mbështetjen e “nëndheshme” nga strukturat e PS-së në Lezhë, Pogradec, etj., që në atë kohë u cilësua si “pazari i Roskovecit”.
Edhe pse nuk jam optimist se pjesëmarrja e opozitës në këtë Komision do të jetë ndikuese në vendimin përfundimtar të shumicës (83 + 3), përsëri, në respekt të qytetarëve që vuajnë sot shkatërrimin e shërbimeve publike nga pushteti vendor, besoj se opozita e ka për detyrë të paraqesë alternativën e saj përpara qytetarëve shqiptarë, por edhe Komisionit Parlamentar.
“Matematikani” i madh, pasi mori në 2015 Lezhën dhe Pogradecin, në 2019 bëri një lëvizje prej “shahisti” të paparë dhe ia dorëzoi të gjitha bashkitë “Rilindjes” me qëllimin “strategjik” që, duke ia lënë gjithë pushtetet të pangopurit, ai të rrëzohej përtokë nga mbipushteti absolut, siç ndodh me lopën kur ha shumë jonxhë.
Për të realizuar këtë qëllim madhor, nuk pranoi të regjistronte as formalisht PD-në në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, të shtyra me kërkesë të tij (por edhe Bundestagut), pikërisht në datën që ai kishte zgjedhur vetë.
Dhe, që të mos zgjatem më tej, kulmi i “matematikës” ishte Kuvendi “historik” i 2 mijë karrigeve me 5 mijë delegatë.
Këto “kryevepra”, që as “Diella” nuk i imagjinon dot më, më kujtohen kur dëgjoj plot teza që krijuesi i “Diellës” i shpërndan përmes “matematikanëve” më pak të shquar, sot opozitarë.
Sidomos sot, përballë një diktature de facto, opozitarizmi duhet të mbështetet, së pari, te guximi për t’u përballur pa komplekse me regjimin dhe, së dyti, te gjithëpërfshirja demokratike dhe transparente, e cila duhet të ketë si emërues të përbashkët unifikimin e çdo aktori opozitar për realizimin e një sistemi zgjedhor që rikthen parlamentarizmin e cenuar që në vitin 2008 dhe i jep fuqi qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre (dhe jo kryetarëve).
Ky do të ishte pikëtakimi i parë i të gjithë atyre që kërkojnë ndryshimin e sistemit.
Të vetmit që ky ndryshim nuk i intereson është Edi Rama, sepse edhe socialistët janë lodhur me emërime deputetësh.
Mbi këtë bazë madhore mund të ndërtohen forma më konstruktive të bashkëpunimit dhe organizimit opozitar, duke ruajtur identitetin e secilit, por në funksion të ndryshimit të këtij sistemi, i cili në thelb është antikushtetues, sepse cenon barazinë dhe vlefshmërinë e votës midis subjekteve, por edhe qarqeve të ndryshme.
Garantimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse zgjedhore, që mundëson mosdjegien e votave opozitare, u jep mundësi të gjithë faktorëve të marrin atë që meritojnë.
Ndërsa vendosja e “kushteve morale” në mënyrë joparimore e subjekteve është vetëm në shërbim të Ramës, që regjimi të vazhdojë të vjedhë në mënyrë skizofrenike, duke pretenduar se opozita është “e përçarë”.
Shpikja e partive si G99, që bëjnë sikur kritikojnë regjimin për të bërë opozitën e opozitës, nuk besoj se do të funksionojë më në të ardhmen.
Kjo nuk mund të jetë betejë për mbijetesën politike të asnjë partie apo individi që “ushqehet” underground nga regjimi.
Kjo është një betejë ekzistenciale për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Dështimi nuk mund të jetë alternativë.
Justifikimet do t’i shërbenin vetëm regjimit antishqiptar dhe antifamilje në fuqi.
Ndaj edhe kryeteza e proxy-opozitarëve të Ramës, se pa hequr Berishën nuk mund të heqim Ramën, është tej mase absurde, e pamoralshme dhe destruktive.