Kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar dhe Kryesisë, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Ai deklaroi se nuk merr vendime individuale, ku sipas tij, një vendim i pjekur është ai i marrë nga të gjithë. Alibeaj shtoi më tej se nesër do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve dhe do të formalizohet vendimi në lidhje me mënyrën si do të garohet në “lokale”.
“Nesër do të jetë mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve. Çështja e zgjedhjve ka rëndësi për të gjithë, për këtë arsye, edhe diskutimi do të bëhet me të gjitha forumet, për t’i pasur të gjitha qëndrimet. Nesër do mblidhen forumet e bazës, do sjellin dhe ata atë që është nevoja. Deri sa të zyrtarizohen, mjaftohuni me njoftimet që keni marrë sot, zyrtarisht do ta mësoni nesër. Unë e kam aq maturi përgjegjësi politike që të mos marr vendime individuale. Në zgjedhje por edhe në vendimmarrje tjetër politike mendimi i pjekur është mendimi i të gjetheve. Aty pastaj shpërndahet dhe merret përgjegjësia. Nesër do i merrni vesh të gjitha. Vendimi final do përbëhet nga kryesia, grupi dhe kolegji… nesër do jetë i plotë”, tha Alibeaj.
Nga ana tjetër, deputeti Gazment Bardhi, i cili në mbledhje ka deklaruar se është kundër nxjerrjes së kandidatëve në 61 bashki të vendit, pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se për mediat do të flasë pasi të merret vendimi final.
“Nesër do të mblidhen forumet e tjera të Partisë Demokratike nuk mund të them se çfarë do të ndodhë. Patjetër do të kem edhe qëndrim. Pas vendimit do të ketë edhe qëndrim timin”, tha Bardhi.