
Pavarësisht se në Fier, rinumërimi i hoqi mandatin Zegjine Caushit, Maldrita Bardhos e refuzoi atë, duke hequr dhe shpresën e fundit për ndryshim nga kjo fazë e dytë e numërimit të votave.
Në të tre qarqet, më shumë vota humbi Partia Demokratike.
Në Tiranë, humbi 612 vota, në Fier iu zbritën 147 vota, ndërsa në Durrës 18 vota.
Ndërkohë, Partia Socialiste humbi 318 vota në Tiranë, në Durrës vetëm 5, ndërsa në Fier arriti të rikuperonte 30 vota.
Në qarkun e Tiranës, deri në orët e fundit pati një garë të hapur mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit. Kjo e fundit ngushtoi diferencën nga 140 në 70 vota, por jo mjaftueshëm për të fituar mandatin.
Ndërsa Ilir Alimehmeti, që kishte pretendime për trafik votash, nga rinumërimi rezulton me 137 vota të pamerituara në kuti.
Lëvizjet e votave të kandidatëve të Tiranës, sipas anëtarëve të KAS, ishin rezultat i gabimeve njerëzore gjatë raundit të parë të rinumërimit. Ndërsa për qarkun e Fierit u vu re një fenomen shqetësues: ai i tjetërsimit të votave brenda kandidatëve.
Anëtarët e KAS ngritën dyshime për krime zgjedhore nga ana e numëruesve.
Rinumërimi i pjesshëm në Durrës i hoqi 86 vota ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe i shtoi 12 vota Aulon Kalasë, por këto ndryshime ishin të pandjeshme për të ndikuar rezultatin.
KAS do të mblidhet të hënën për të vendosur nëse do të quhen apo jo të vlefshme zgjedhjet edhe në këto 3 qarqe që u rinumëruan.