MARRËVESHJA/ PD dhe PS “kapën” Këshillin drejtues të RTSH, AGSH: Interesa partiake!

18 Mars 2025, 12:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD dhe PS “kapën” Këshillin drejtues të RTSH: Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Enio Civici, Alket Braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita

Pas një maratone dëgjesash me 67 kandidatë Komisioni për Edukimin dhe Mediat përzgjodhi të martën 10 kandidatët e rinj për Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Publik, një institucion që u shkri me vendim të Kuvendit disa javë më parë pas akuzave për shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të ri të RTSH.

Sipas një formule ku mazhoranca dhe opozita propozojnë nga 5 kandidatë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues që pritet të votohen së shpejti në seancë plenare janë; Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Enio Civici, Alket Braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita.

Komisioni vendosi gjithashtu të propozojë si kandidat për kryetar të këtij këshilli piktorin Helidon Haliti dhe Fatjon Hoxhallin, aktualisht këshilltar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe më herët këshilltar për mediat i Niko Peleshit gjatë detyrave të tij në qeveri si zëvendëskryeministër e ministër.

Emrat e përzgjedhur kanë shkaktuar shqetësim për politizim të këtij këshilli  tek organizatat për lirinë e medias për shkak të sfondit politik në karrierën e tyre apo afërsisë politike me Partinë Socialiste ose atë Demokratike që kanë një pjesë e madhe e tyre dhe pse ligji parashikon që ky institucion të ketë në përbërje njerëz jopolitikë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas votimit në Kuvend të përbërjes së Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. 

AGSH ka shprehur zhgënjim për këtë votim, sipas tyre anëtarë të këshillit u zgjodhën edhe "zëdhënësi i zv.kryetarit të Parlamentit Blendi ÇUÇI; këshilltari i jashtëm i Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit; ish-zëvendësministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, i liruar nga detyra në 2024; një anëtar i Këshillit Kombëtar të PD; një ish-deputete e PD".

Sipas Asociacionit të Gazetarëve me zgjedhjen e shumicës së anëtarëve politikë, Parlamenti tregoi se interesat e ngushta partiake mbizotëruan mbi interesin publik.

Reagimi i Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë 

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh zhgënjimin për votimin e së hënës në Parlament, ku u zgjodhën anëtarët dhe kryetari i ri i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Në krye të Këshillit u zgjodh me konsensus politik zëdhënësi i Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Fatjon Hoxhalli. Ndërkohë, anëtarë të këshillit u zgjodhën edhe: zëdhënësi i zv.kryetarit të Parlamentit Blendi ÇUÇI; këshilltari i jashtëm i Kryetares së Kuvendit Elisa SPIROPALIT; ish-zëvendësministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, i liruar nga detyra në 2024; një anëtar i Këshillit Kombëtar të PD; një ish-deputete e PD.

Shkrirja e Këshillit Drejtues të RTSH pak javë më parë, me propozimin e Komisionit të Medias dhe me votimin e Parlamentit, u duk si një sinjal i qartë se palët politike kishin vendosur t’i jepnin fund paligjshmërive politike.

Por me zgjedhjen e shumicës së anëtarëve politikë, Parlamenti tregoi se interesat e ngushta partiake mbizotëruan mbi interesin publik.

Anëtarët e Komisionit të Medias dhe më pas të Parlamentit i mohuan sot publikut mundësinë që RTSH të jetë një institucion dinjitoz dhe i pandikuar politikisht.


Video