Mandati i Olta Xhaçkës/ PS rrëzon kërkesën e PD për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese

19 October 2022, 16:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mandati i Olta Xhaçkës/ PS rrëzon kërkesën e PD
Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të paraqesë për votim në Kuvend dy raporte të ndryshme, teksa është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për të çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e heqjes së mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se socialistët kanë vendosur që të “marrin në mbrojtje kolegen e tyre”, por nënvizoi më tej se PD do e dërgoj çështjen për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në Kushtetuese.

Ndërkohë, sipas deputetëve të PS-së, Kuvendi nuk ka arsye kushtetuese për të çuar në Gjykatë kërkesën e PD-së.

“Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses. Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës. Kuvendi në seancë nuk i diskuton raportet, e thotë kushtetuta dhe rregullorja,” u shpreh deputetja Bushka.

PD akuzon se ministrja Xhaçka është në konflikt interesi sa i takon një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Opozita pretendon se bashkëshorti i saj qëndron pas një kompanie që do të ndërtojë resort turistik në bregdetin e Himarës në cilësinë e investitorit strategjik.

Debati:

Gazment Bardhi: Unë e kolegia e mazhorancës nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët se kolegët e mazhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre Olta Xhaçka. Qëndrimi i opozitës ka qenë që këtë çështje duhet ta shqyrtojë në themel Gjykata Kushtetuese.

Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ne e Kuvendi vendos është për t’ia përcjellë për shqyrtim GJK. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në GJK e ne do mblidhemi përsëri këtu pas vendimit te GJK që do ju detyrojë ta dërgoni në këtë çështje në GJK.

Keni në dorë me forcën e kartonit për ta vonuar këtë çështje por s’do e pengoni kurrë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për një deputete të grupit tuaj parlamentar, për një ministre që duke përfituar nga pozita e deputetes e ministres ka vendosur të bëjë milioner bashkëshortin e saj.

Klotilda Bushka: A është Kuvendi në kushtet që ti drejtohet Kushtetueses për t’a shqyrtuar çështjen?

Nuk janë kushtet për vënien në lëvizje të Kushtetueses. Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses.

Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës. Kuvendi në seancë nuk i diskuton raportet, e thotë Kushtetuta dhe rregullorja.


Video