Lulzim Basha rikthehet me katër propozime (të përsëritura)

24 May 2023, 18:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulzim Basha rikthehet me katër propozime (të përsëritura)
Lulzim Basha

Në takimin e parë publik që pas dorëheqjes së tij, Lulzim Basha ka bërë katër propozime. Në një takim me të rinjtë, Basha foli për listat e hapura, vetingun e politikanëve, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votat e emigrantëve. Por të gjitha këto propozime nuk janë të reja, janë të përsëritura disa herë si nga Basha kur ishte në krye të PD, por edhe nga politikanë të tjerë.

“Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve dhe diçka që sot me vendim të Gjykatës Kushtetuese është e detyrueshme, por nuk ka asnjë përpjekje për ta bërë realitet, vota e emigrantëve. Midis 35-42% e bashkatdhetarëve tanë nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri. Të gjithë i dimë arsyet se pse. Janë larguar dhe vazhdojnë të largohen në mënyrë masive, por nuk kanë të drejtë të shprehen me votë si qytetarët, vëllezërit tanë në Kosovë apo qytetarët e vendeve të tjera të BE-së. Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve, votat e emigrantëve kam dhe shumë për të thënë, por mendoj si për nisje kemi mjaftueshëm për të folur, por edhe për çështje të tjera për të cilat jemi mbledhur sot këtu”, u shpreh Basha.

Këto çështje, Basha tha se i konsideron si nevojën më akute. Dhe duke iu drejtuar të rinjve u shpreh se në këtë mënyrë ata nuk do të flasin më me heshtje, siç sipas  tij, bënë në zgjedhjet e 14 Majit.

“Këto janë propozime që gjej rastin t’i lançoj sot këtu nga mesi i juaj si grupi me nevojën më akute për të mos folur më me heshtje siç folët para dy javësh, por për të bërë të mundur që zëri juaj të kumbojë sot një orë e më parë dhe sa më parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Basha.

 


Video