Ligji për barazinë gjinore/ Sali Berisha thirrje ambasadorit të BE-së: Ne e respektojmë orientimin tënd seksual, por mos i impono shqiptarëve…

6 Nëntor 2025, 10:43Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha/

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar atë si një nismë që “rrezikon të shkatërrojë familjen shqiptare dhe vlerat tradicionale”.

Në një deklaratë për median jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha tha se projektligji është “i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë” dhe “përmbys Kushtetutën, kodet e vendit dhe trashëgiminë mijëra vjeçare të shqiptarëve”.

“Kjo shkon në shkatërrimin e familjes si themeli i një shoqërie. Ky ligj i bazuar fund e krye me ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys kushtetutën e vendit, kodet e vendit, trashëgiminë pozitive mijëra vjeçare dhe penalizon e ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj. Penalizon ligjet, kushtetutën, nenet e familjes. Nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij. Në emër të përafrimit me direktivat europiane që është mashtrim i madh, ligji çon drejt totalitarizmit. Është identik me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist”, tha Berisha, teksa më tej paralajmëroi që Partia Demokratike do të nisë protestat.

Ai tha se qëllimi i opozitës është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama dhe se shumë shpejt ata do të dalin para Kryeministrisë.

“Por ne shumë shpejt do të nisim betejën kundër kryeautorit të këtij ligji, te kryeministria kundër këtij personi që ka marrë përsipër të transfigurojë familjen shqiptare për konceptet që ka për familjen. Beteja jonë është me një person dhe vetëm një person dhe ky është Edi Rama, me kukullat e tij nuk do merremi më, sepse kukullat e tij janë mjerane”, u shpreh ish-kryeministri.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Berisha i përcolli dhe një mesazh ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato i cili përkrahu këtë projektligj.

Ish-kryeministri i kërkoi që të lërë anash orientimin e tij seksual dhe të mos përpiqet t’i imponojë shoqërisë  shqiptare standarte të përkatësisë së shumëfishtë gjinore.

Tani ambasadorit i them kaq, zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve, por përpjekjet tuaja për të imponuar shoqërisë shqiptare standarte të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, edhe i them edhe në statusin tënd ti je binar. Ne nuk merremi me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, dhe ka marrë vendimet e veta, s’dua të merrem me jetën e tij personale. Ligji nuk k asgjë të përbashkët”, tha Berisha ndër të tjera.

Aktivistë dhe përfaqësues fetarë janë mbledhur në protestë para Kuvendit për të kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore.

Në pankartat që mbanin në duar protestuesit shkruhej: “Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.”

Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” deklaroi se projektligji bie ndesh me traditën shqiptare dhe se synon të ndryshojë me forcë nocionet e burrit dhe gruas.

Sipas tyre, edhe pse në nenin 4 janë miratuar dhe sqaruar disa përkufizime që përcaktojnë qartë gjininë si “burrë–grua”, këto ndryshime nuk janë pasqyruar në nenet e tjera të ligjit.

Protestuesit shtuan gjithashtu se termi “gjinia gjithëpërfshirëse” vijon të përdoret në disa nene, konkretisht në nenin 10, gjë që sipas tyre bie në kundërshtim me frymën e nenit 4.


Video