Kuvendi i Shqipërisë mohon të ketë shkelur ligjin duke u bërë pjesë e fushatës elektorale, pas një postimi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ku bëhej thirrje për të votuar Partinë Socialiste.
Sipas raportimeve, postimi u shfaq në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë në Facebook, ku qëndroi për rreth 5 minuta përpara se të fshihej.
Paraprakisht u mendua se ky mund të ishte një lapsus i administratorëve të faqes, por Kuvendi ka reaguar duke nënkuptuar se diçka e tillë nuk ka ndodhur fare.
Lidhur me këtë postim, disa deputetë të partive opozitare deklaruan se kanë dorëzuar denoncim në KQZ.
Reagimi i plotë i Kuvendit:
Kuvendi i Shqipërisë është një institucion demokratik pluralist gjithëpërfshirës, përfaqësues i vullnetit të popullit dhe i të gjitha forcave politike.
Sqarojmë opinionin publik se shërbimet e Kuvendit, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, bazohen në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë.
Kuvendi i Shqipërisë garanton opinionin publik se administrata dhe shërbimet, faqja dhe rrjetet sociale të tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare.
Zyra e Shtypit e Kuvendit.
