Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar konferencë me Kryetarin e Bashkisë së New Yorkut, z. Eric Adams, jashtë godinës qeveritare.
Rama u shpreh se po bëhen përpjekje për të vendosur linjën direkte të fluturimit me New York.
Teksa e cilësoi Adams një mik të kahershëm, Rama shtoi se ai “ka dëshirë të takohet me Diellën”.
Edi Rama: Jemi këtu së bashku me një mik të kahershëm, një mik që kam pasur privilegjin ta njoh falë lidhjeve të tij shumë të forta me komunitetin shqiptar në New York. Pas një premtimi të përsëritur disa herë, kryebashkiaku i New York më në fund erdhi në Shqipëri për të vizituar vendin tonë, për të parë nga afër një vend që ka dëgjuar shumë nga miqtë e tij shqiptarë dhe nga unë, si edhe për të diskutuar së bashku lidhur me turizmin.
Duke qenë se ka qenë kyç në vendosjen e disa linjave direkte të New York në vende të tjera, për të parë mundësinë e një nxitje ekstra në përpjekjen që po bëjmë për të vendosim fluturimin direkt me New York, duke qenë i interesuar për teknologjinë ka dëshirë të takohet me Diellën.
Ndërkohë Adams u shpreh i impresionuar nga transformimi i Tiranës dhe vendit në tërësi, duke vënë theksin tek rritja e ndriçimit publik, zhvillimi teknologjik dhe përqafimi i inovacionit.
Eric Adams: Faleminderit kryeministër për miqësinë tuaj dhe që më lejuat të shfaq këtu ata që kam shfaqur në Nju Jork, më të mirën e flamurit shqiptar. Kur mendon për këtë qytet 25 vjet me parë, ju kishit më pak se 100 drita rrugësh, ndërkohë që 25 vjet më pas shihni një komunitet dhe lulzim që po ecën në drejtimin e duhur nga mungesa e ndriçimit në rrugë, tani pasja e një ministreje inteligjence artificiale, duke kuptuar rolin që do të luajë AI në të ardhmen e vendit.
Doja të vija këtu dhe të mësoja më shumë për teknologjinë, për mënyrën si ky kryeministër ka qenë në gjendje të kujdeset për revolucionin e këtij vendi dhe qyteti. Erdha të flas për turizmin, për të parë sesi të mund të ndihmojmë dhe të shfrytëzojmë jo vetëm muajt që më kanë mbetur në detyre, por edhe më pas për të siguruar një linjë fluturimi direkt nga Nju Jork City në Shqipëri.