Kryeministri Edi Rama, në konferencën me gazetarët, u pyet edhe për editorialin me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin pa të drejtë vetoje në Union, dhe për të cilin është përballur me kritika.
Sipas tij, nuk ka të bëjë për heqjen dorë nga anëtarësimi në BE, sikurse ka akuzuar PD, të cilën e cilësoi si shoqata e molotovarëve.
Ai ironizoi edhe faktin se demokratët i janë referuar deklaratave të gjermanëve, të cilët kanë qenë mjaft kritikë ndaj qeverisë për çështjen e korrupsionit dhe mbrojtjen politike ndaj Belinda Ballukut.
Pjesë nga fjala e Ramës: Është për të ardhur keq por mua nuk më vjen keq për shoqatën e molotovarëve që e quani PD, se janë në botë tjetër, nuk kanë lidhje fare me botën e sotme të marrëdhënieve ndërkombëtare të punës për t’u anëtarësuar në BE, por një gjë është e sigurt se kam qenë zëri i parë, jo sot por ka disa vite, që është ngritur për një qasje ndryshe ndaj anëtarësimit. Nuk kam thënë ndonjëherë, dhe as editoriali i mallkuar, nuk po u vë emër atyre që në Kosovë e Shqipëri e kanë mallkuar, nuk thotë askund dorëheqjen nga anëtarësimi në BE. Përkundrazi. Kjo është temë që kërkon pak thellim për të kuptuar se çfarë flasim.
Kam thënë se BE vendet anëtarë, disa nga ato nuk e kanë kapacitetin për të përballojnë momentin e fundit. Për të dalë përpara popujve të tyre dhe për të thënë se po marrim edhe një tjetër në familjen tonë nëse nuk kanë mundësi që ta argumentojnë për disa opinione që janë ndaj zgjerimit. Ajo që mund të ndodhë është se të gjitha gjërat të bëhen gati, kanë qenë gjithmonë me këtë vështirësi, mund të mos e gjejnë këtë kapacitet. Që dmth se procesi mund të ngelet peng.
Plus që dinamika e BE është e paparashikueshme për shkak të dinamikave të brendshme politike. Në 2027 ka zgjedhje në Francë, që është vend kyç. Franca e ratifikon anëtarësimin e një vendi të ri anëtar në BE me 2/3 e parlamentit, ose me referendum popullor. Franca ndodhet në kushtet që nuk bën dot qeveri të shumicës, plus që nuk dihet se çfarë qasje do të ketë presidenti apo presidentja kur të zgjidhet. Për të mos pritur që gjërat të bëhen fakt dhe më pas të mbetesh por për të punuar në këtë drejtim. Kur flisja për këtë, askush nuk e përkrahte, sot janë jo pak që e shohin me interes këtë qasje. Sa i përket dëgjesës së molotovarëve, meqë kanë filluar të flasin në emër të Berlinit, le të shkojnë të flasin atje dhe të pyesin ore ia vlen të luftojmë për këtë punë apo ta mbyllin gojën se jemi komplet jashtë loje. Unë e di se çfarë do iu thonë.