Në Parkun Olimpik ka nisur vulosja e fletëve të votimit për diasporën, të cilët për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi i vulosjes pritet që të mbyllet deri nesër për 245 953 fletë dhe futja e tyre në zarfin A që është i njëjtë për të gjithë. Ditët e ardhshme do të vijohet futja e tyre në zarfet B, që janë të personalizuara për çdo votues.
Zarfi B ka të kodifikuar (me barkod që e lexon vetëm KKQZ) emrin e zgjedhësit, shtetin ku jeton dhe qarkun ku shkon vota. Përgatitja e seteve mendohet të mbarojë në datën 15-17 prill dhe zarfet të kenë mbërritur tek votuesit maksimumi datën 22 prill për Evropën dhe 25 prill për Amerikën apo Azinë.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpjegon se shpërndarja tek votuesit në 85 shtete të botës pritet të nisë nga java në vijim, por thekson se sapo të kenë gati sasinë e parë do të nisin direkt me shpërndarjen.
“Mendojmë ta mbyllim brenda kësaj jave, nesër të përfundojë procesi i vulosjes së fletëve të votimit, procesi po ecën pak ngadalë, janë edhe emocionet stafit për shkak të përgjegjësisë, kujdesi që duhet të tregojnë. Me shumë mundësi nesër deri nga mesnata do përfundojë vulosja e fletëve të votimit, pastaj të vazhdojmë me futjen e zarfit A tek zarfi B dhe më pas të zarfi i operatorit të shërbimit postar.
Nëse përfundojmë këtë procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor do të fillojmë edhe procesin e dërgimit dhe shpërndarjes për atë që sasi kemi bërë gati. S’do presim ta bëjmë gati komplet sasinë, por pjesë-pjesë sipas destinacionit”, thekson Celibashi.
Postieri do të vijë deri në 3 herë në adresën e dhënë, në ditë të ndryshme e orare të ndryshme. Nëse nuk e gjen votuesin, do të lërë një shënim për t’i kërkuar atij të shkojë brenda 3 ditësh të tërheqë zarfin në pikën më të afërt postare.
Celibashi thekson se janë në diskutime me postën që zarfi i votuesit në rastet kur posteri nuk e gjen zgjedhësin në shtëpi, ta mbajnë në ambientet e postës të paktën deri më datë 3 maj që emigrantët të paraqiten vetë për të marrë zarfin në rast se takimi mes tij dhe postierit dështon 3 herë.
“Do shkojë herën e parë dhe nëse nuk e gjejnë në banesë, do i lërë një shënim që erdha nuk iu gjeta dhe do i lërë orarin kur postieri mendon se do shkojë herën e dytë, do i lërë një shënim edhe për herë e tretë dhe nëse nuk përputhen sërish oraret, do i lihet një shënim duke i thënë që dokumentacioni zgjedhor i dërguar nga KËQZ gjendet në zyrën postare numër kaq dhe mund të vini ta tërhiqni zarfin. Nëse deri në datën 3 maj, ende se kemi vendosur, sepse duhet të llogarisim dhe kohën që duhet për tu kthyer zarfi mbrapsht në Shqipëri, do duhen 4 ose 5 ditë për ta kthyer mbrapsht, po shohim mundësinë që ata ta mbajnë deri në datën 3 ose 4”, tha Celibashi.
Celibashi thekson se vota e emigrantëve digjet, në rast se ajo futet në territorin e Shqipërisë pas datës 11 maj ora 19:00.
“Çdo zarf që ka në vulën e hyrjes në momentin që futet në Shqipëri ka një orë dhe datë mbas 11 majit 19:00 nuk i nënshtrohet procesit të vlerësimit dhe numërimit. Duhet që çdo zarf të mbërrijë para datës 11 maj ora 19:00”, thekson Celibashi.
Çfarë ndodh pasi e plotësuat fletën e votimit dhe e futët në zarfet e KQZ-së? Celibashi i shpjegon votuesve të diasporës se mjafton të telefonojnë postierin dhe ai do shkojë në banesë që t’u marrë zarfin.
"Në momentin që përfundon procesi i votimit, e fut fletën e votimit tek zarfi A, zarfin A tek zarfi B dhe më pas zarfin B tek zarfi i postës. Në momentin që përfundon votën dhe e ka organizuar dokumentacionin, telefonon postën, në zarf do jenë numrat. S’ka nevojë të dalë votuesi nga shtëpia, merr në telefon postierin dhe i thotë jam gati eja merre fletën e votimit”, thekson Celibashi.
KQZ iu dërgon bashkë me fletën e votimit edhe një numërator, që ka kontaktet e postës për çdo shtetit. Gjeni shtetin tuaj, e telefononi postën.