Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila shpalli Asim Vokshin fitues në procesin e votimit për anëtar të Kushtetueses.
Kështu, Asim Vokshi pritet të betohet përpara Presidentit të Republikës së Shqipërisë për mandatin e tij në Kushtetuese.
Llagami pretendonte se kishte siguruar në total 9 vota, përfshirë një votë që Gjykata e Lartë e ka konsideruar të pavlefshme, duke u bazuar në dy shenja të supozuara si tentativë ndikimi në rezultat.
Sipas rregullave, për t’u shpallur fituese i duheshin 3/5 e votave, dhe për shkak të pavlefshmërisë së votës, Asim Vokshi u shpall automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte i pari në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Llagami kërkoi që kjo votë të njihet si e vlefshme dhe rezultati të ndryshohet në favor të saj.
Ndërkohë, kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të rezultatit të votimit është rrëzuar.