KAS nis rinumërimin e votave për kandidatët e PD në 42 kutitë e Dibrës

11 Qershor 2025, 10:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Procesi i rinumërimit në KAS

Ka nisur në KAS rinumërimi i votave preferenciale mes kandidatëve të PD në 42 kuti votimi të qarkut Dibër, kërkesë e bërë nga Xhemal Gjunkshi me pretendimin se iu vodhën votat. Në nisje të mbledhjes, anëtari i KAS Elvin Lako sqaroi se bëhet fjalë për 42 kuti votimi.

Sipas kërkesës bëhet fjalë për 43 QV. Por nga një verifikim, na rezulton që kemi një dublikim të një QV. QV 1029/00 e keni shkruar dy herë. QV 1096/00 i përket KQZAZ 19. Ne sot do të kqyrim 42 kuti votimi”, tha anëtari i KAS, Elvin Lako.

Vendimi për rinumërimin e votave në këto kuti të Dibrës u mor nga anëtarët e PD në KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. Gjunkshi nuk mundi të fitojë mandat me numërimin që u bë më 11 maj. Ai u rendit i dyti në listën e hapur me 120 vota më pak se nga kandidati Përparim Spahiu.

Mbetet e paqartë se çfarë synon të arrijë Gjunkshi duke qenë se në qarkun e Dibrës, PD mori dy mandate që i shkuan vetëm listës së mbyllur. Edhe nëse nga rinumërimi, ai do të kalojë kandidatin tjetër Spahiu, nuk ka asnjë shans që të futet në Kuvend. 

Ndërkohë, nga java e ardhshme, pritet të nisë rinumërimi votave për subjektet dhe kandidatëve për qarkun Tiranë dhe Fier, vendim që u mor gjithashtu nga anëtarët e PD në KAS.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se procesi pritet të zgjasë deri në 20 ditë ndërkohë që rezultati në të gjithë Shqipërinë do të certifikohet në mes të gushtit.

Video