“Justifikimet për humbjen për të mbajtur status-quo”, Patozi si rikthehet PD te fitorja

19 May 2023, 22:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Justifikimet për humbjen për të mbajtur status-quo”,
Astrit Patozi

Duke komentuar për humbjen e pashembullt të opozitës, Astrit Patozi i mëshoi deklaratave të tij tek mbajtja e përgjegjësisë dhe reflektimi dhe jo tek justifikimet e palëve. Në Intervistën me Merita Haklajn në A2 ai tha se askush nuk është ngatërruar tek fleta e votimit, por justifikimet për humbjen sipas tij bëhen për të ruajtur status-quo-në.

“Unë nuk besoj se dikush është ngatërruar kur ka votuar, këto janë elementë të pakëndshëm që kanë dobësuar fuqinë elektorale, por jo argumentat që të përligjin rezultatin shkatërrues. Njerëzit e kanë pasur mundësinë të shprehin vullnetin e tyre, pro këto akrobacitë e truqet elektorale mund të shërbenin si motivim i elektoratit për t’u hakmarrë ndaj padrejtësive që u behën. Të dielën the që po shkojmë drejt fitores dhe tani të thuash nuk kishe vulën. Këto deklarata bëhen për të ruajtur status-quo. Nëse i pret koha dhe i kanë jetët tepër këta njerëz; se dy rrugë ka; ose ikën njeriu që i prin njerëzve ose njerëzit prej njeriut. Nëse nuk ikën njeriu që merr përgjegjësi do të kalojmë te skenari i dytë”.

Për largimin e Berishës, ai thotë se kjo gjë i takon Foltores. 

“Është një problem që i takon Foltores, është në të drejtën e vet se kë do të ketë udhëheqës. Nëse janë të kënaqur me këtë rezultat le të vazhdojnë, madje ne të tjerët më shumë e dëmtojmë reflektimin që mund të ndodhë brenda PD e Foltores se jemi të jashtëm. Pavarësisht ndjesive tona për PD e dikurshme, ne nuk jemi ftuar t’i këshillojmë ata. Edhe ata 500 mijë veta që kanë votuar për kandidatë e opozitës e shohin si interpretohet kjo humbje dërrmuese e pashembullt që kalon përmasat e 2015 që ishte rezultati më i keq dhe shumë mbrapa rezultatit të 2021”.

Edhe brenda PD-së zyrtare, asaj të vulës, Patozi shikon përçarje për të marrë e drejtimit, ndërsa grupi parlamentar demokrat sipas tij është pasqyra që tregon partinë.

“Procese të këqija do të ndodhin edhe brenda PD së vulës se edhe aty ka luftë për të marrë skeptrin e udhëheqësit pavarësisht rezultatit të ulët. Edhe aty ka dy rryma për të marrë drejtimin e partisë zyrtare, po kam përshtypje që do të jetë pjesa që mbajti barrën e fushatës dhe jo pjesa që u fsheh gjatë ditëve të zgjedhjeve. Fakti që edhe ata po zihen nuk është sinjal pozitiv. Grupi parlamentar është i ndarë në copa, është një lloj pasqyre i asaj që ka tepruar nga PD. Grupi parlamentar e tregon më së miri, shiko atë dhe shikon gjendjen e PD në tërësi”.

Për Patozin, është shumë e rëndësishme që opozita të sjellë një ofertë me fytyra dhe projekte të reja nëse do që të rrëzojë Ramën nga “froni”.

Po ashtu, duke marrë si shembull rezultatin e PSD-së të Tom Doshit, Patozi theksoi se rezultati i dobët i PD-së së Berishës nuk lidhet me faktin që ai është shpallur “non grata” nga SHBA.

Me nota humori, zoti Patozi kujtoi se në listën e zezë të SHBA-së është edhe Doshi, por efekti tek ai në zgjedhje ishte i kundërt.

“Nëse demokratët i kanë ikur non gratës, socialistët kanë shkuar ta votojnë non gratën. Disa socialistë kanë shkuar dhe janë bërë të Tom Doshit. Këtu kuptohet që roli i non gratës në Shqipëri nuk ka atë peshë që i është dhënë, ka më pak.”

Kreu i “Rithemelimit” e ka akuzuar Doshin se votat i ka të blera, por për Patozin rëndësi nuk kanë akuzat mes palëve, por fakti që opozita është e përçarë.

“Të rëndësishme janë gjëra të tjera: një parti që rrihet me njëri-tjetrin. Nuk bëhet asnjë lloj analize, reflektimi për atë që i ndodh.”

Edhe në kampin rozë, sipas Patozit, votat janë mbajtur me fenomenin e blerjes dhe presioneve të ushtruara ndaj administratës.


Video