Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka ngritur pyetjen se pse Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk duan hapjen e dosjeve. Rama theksoi se e keqja më e madhe e komunizmit ka ardhur pas shembjes së sistemit.
“Komunizmi një nga të këqijat më të mëdha e ka bërë pas vdekjes. Duke pjellë komunistë anti-komunistë. Dhe jo më kot Havel thotë se më i ziu i komunistëve është komunisti ant- komunist. Mu kujtua At Zef Pllumi i cili ka thënë ‘Don më dit kush ka bashkëpunu më shumë me ta, nigjo kush ulëret më shumë prej tyne’. Mjafton të marrësh ulëritësin nr. 1 që nuk do të hapen këto dosjet e mbrojtura nga SHIK dhe sa ka ulëritur si antikomunist dhe nuk e bëri edhe duke pasur 8 vite rresht. Ai lustracioni është akt barbarie që është rrëzuar kohë përpara sesa ta tentonte pjella anti-komuniste e komunistit nga GJEDNJ. Ai lustracioni është njësoj si klithmat për të mbrojtur Kosovën kur votuar raportin e Marty, ai lustracioni është fiks si kjo pamja këtu në sallë”.
Më tej, ai u shpreh se ata që ngrenë zërin për këtë çështje, nuk duan të hapen dosjet.
"Ku e ke Oerd ‘non grata-n’? Pse nuk vjen ai këtu që t’i japë rrugë hapjes së dosjeve, që janë dosje të personave me rëndësi që nuk hapen dot. Kjo është ironia e at Zef Pllumit, se ne i kemi hapur dosjet. Ka vetëm një kategori dosjesh që janë të pahapura, dosje të disa figurave të shtetit të pajisur me certifikatë sigurie që rezultojnë në dokumentet e ish-sigurimit.
Dëshiron ti ta dish kush është shtetasi I.M, mbase është ai ose mbase nuk është ai. Të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithë i shkon mendja. Pse të mos e hapim. Ndërkohë që ka që në vitin 2015 që pa përjashtim të gjithë viktimat e persekutimit komunist të shkojnë të marrin dosjen e tyre. Dhe ata ka edhe një kufizim që hiqet sot, që kanë të bëjnë me deklasifikimin e dokumenteve sekrete. Pse nuk vjen këtu Partia e Liries dhe Liria e Partisë këtu? Sepse nuk e kanë dashur kurrë hapjen e dosjeve sepse kanë dashur që sa më shumë hije të vijnë vërdallë”, tha Rama.
“Këtë seancë me këto fjalime e dini kush do e shijonte, sekretari i parë i partisë së sekretarit tjetër që mori partinë tjetër dhe që sot është non grata. Ai do e shijonte më shumë. Do thoshte nipçe e mbesa akoma me punët e mia merreni. Komunizmi ka vdekur, por ajo që vazhdon jeton është pjella e ligë e komunistit, anti-komunist si frymë dhe qasje. Të torolisë dynjanë, jo lustracioni, viktimat, xhelatët, këtu është e thjeshtë, hiqet një pengesë dhe të gjitha figurave të rëndësishme të shtetit u hapen dosjet që u janë mbajtur mbyllur me një certifikatë pastërtie nga shok. Shik i ka mbuluar ata që i duheshin për të krijuar gjithë këtë vorbull. Prandaj është shumë e thjeshtë, ne këtu në këtë proces na solli shtetsasi I.M. Doli një I.M u mbush dynjaja me fjalë u pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M. A është I.M që u shkon mendja atyre për keq, apo ndonjë I.M tjetër. Shumë thjeshtë u zbulua, apo u kujtua që ka një pengesë për shtetasin I.M. Të hapet kjo kategori dhe të lehtësohen gjithë. Largqoftë të mësojmë që shtetasin IM. E paskemi pasure merre e ngjite ku ka pasur vend në të gjithë piramidën shtetërore. Ule, vëre.
Kot e komplikojmë. Kjo është një arsye për ta parë qartë se kush është kush në këtë teatër të madh. Non grata bashkë me krahun radikal anti-juridik. Se ti je krahu juridik Oerd. Të gjithë kanë marrë arratinë, sa dëgjojnë fjalën hapje dosjesh se kanë të mundur ta përballojnë. Se kanë shumë arsye. E dyta si mund tu thuhet shqiptarëve luftojmë për dinjitet. Kur vetë i shmangesh një ballafaqimi me të vërtetën. Një kreshnik që u thotë shqiptarëve bashkoheni me mua për dinjitet, nëse ka respekt për dinjitet thotë menjëherë ta marrin vesh. Jo vrap rrezik, është me shtetasin I.M, nëse është ai që thonë gojët e liga, unë shpresoj që jo. S’ka sekrete shtetërore të asaj kohe, do ta hapësh merre lexoje”, tha Rama.