"Në Peqin është doktor", Dash Sula: Në këto dy bashki PD i ka caktuar kandidatët

20 October 2022, 21:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Në Peqin është doktor", Dash Sula: Në këto
Dash Sula

Deputeti i PD-së Dashnor Sula, tha sot në News24 se dëshiron dhe pret që të ketë një marrëveshje dhe bashkim të PD për zgjedhjet vendore që mbahen vitin e ardhshëm.

Sula deklaroi se baza, të dyja palët bashkë, i kanë zgjedhur kandidatët për Peqinin dhe Mirditët, dhe ata do te jenë nga foltorja, por deputeti demokrat tha se gëzojnë edhe mbështetjen e tij. Sula zbuloi një detaj sa i përket Peqinit, kur tha se kandidati është doktor.

Deputeti tha po ashtu se përçarja në PD nuk erdhi nga deputetët e thjeshtë, por nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Dashnor Sula: Do dëshiroja dhe kam shpresën e madhe që të gjithë drejtuesit e lartë të PD, nga Berisha, Alibeaj, Noka, apo Bardhi këtej nga krahu ku bëj pjesë dhe unë, na intereson që zgjedhjet të dalin me një kandidat të përbashkët dhe të mundim këtë regjim që po i merr frymën të gjithëve. Nuk e them për propagandë, por të gjithë po përjetojmë situatë të vështirë ekonomike dhe problematika të tjera.

Kam apeluar që në 10 shtator të 2021, ‘i përgjërohem miqësisht Berishës që të bëjë të pamundur që ne të mos përçahemi’. Kjo krizë nuk ka ardhur nga deputetët e thjeshtë, por nga dy persona, që një person nuk u bë asnjëherë kryetari i vërtetë dhe një person që nuk iku asnjëherë si kryetar.

Një gjë po më pëlqen, se të gjithë kolegët nga krahu jonë, nuk e kemi shtrirë grushtin deri në fund, në deklaratat e mia nuk kam përmendur kurrë non-grata të Berishës… ne kemi qenë dhe jemi vëllezër. Unë dhe me kundërshtarët e mi në ofendime personale kurrë nuk shkoj.

Megjithatë duhet t’i lëmë këto gjëra, për hir të atyre njerëzve që na kanë votuar, dhe unë jam dhe do të jem në zonën time, uroj dhe shpresoj dhe do luftoj që të jemi me një kandidat i përbashkët, në Peqin është e përcaktuar do të jenë kandidatë nga Foltorja.

Të shtunën do jemi në një takim pune dhe do jetë dhe kandidati nga Foltorja që ne i kemi dhënë bekimin.

Edhe Mirdita e ka mbyllur, parimisht palët janë bashkë dhe kanë thënë në kuptimin e mirë të fjalës që do injorojmë problemet nga lart. Në Peqin është doktor, gëzon respektin e qytetarëve, pasi iu përgjgigjet në dy të natës duke iu shkuar në shtëpi.


Video