Vox News mëson ekskluzivisht se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka dërguar kërkesë Kuvendit për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në kërkesën e SPAK shkruhet se kërkohet zëvendësimi i masës së sigurimit shtrëngues 'detyrim me paraqitje' dhe 'ndalim dalje jashtë vendit' me atë të 'arrest në burg' ose në 'arrest shtëpi”.
Kërkesa pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Mandateve.
Berisha është pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
SPAK-u i ka caktuar ish-kryeministrit masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë Sali Berisha ka refuzuar që prej fillimit paraqitjen në Gjykatë.
Për të njëjtën çështje u arrestua edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe “pastrim parash”.
Në njoftimin e SPAK sqarohet se si kryeministër Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij.
Po ashtu, sipas SPAK, ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Sali Berisha, i ka cilësuar akuzat ndaj tij si “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.