FOTOT: Dritan Leli ‘sodit’ flakët mbi Sazan

6 June 2022, 21:42Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
FOTOT: Dritan Leli ‘sodit’ flakët mbi Sazan
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli publikoi këtë foto nga vëzhgimi i zjarreve në Ishullin e Sazanit

Ka nga ata që punojnë, ka nga ata që bëjnë sikur punojnë dhe nga ata që bëjnë sikur punojnë dhe bëjnë edhe foto.

Dritan Leli e ka zgjedhur vetë kategorinë ku të futet. Kryebashkiaku i Vlorës ka publikuar një foto në rrjetet sociale ku shfaqet duke parë nga distanca tymin që ngrihet nga flakët në ishullin e Sazanit.

Sigurisht, askush nuk i kërkon llogari Bashkisë së Vlorës për flakët dhe përgjigjen ndaj tyre, sepse kjo është kompetencë e Ministrisë së Mbrojtjes. Por, të paktën fotot nga “kiameti” treditor në Sazan më shumë se sa interesim tregojnë përpjekje për protagonizëm të Dritan Lelit.

Pse? Dritan Leli është në kurs të hapur përplasjeje me Edi Ramën, aq sa Kryeministri para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar ftoi socialistët vlonjatë që ta konsideronin atë sikur “nuk ekziston, si i vdekur”.

Përplasja ‘inatçore’ kulmoi pas refuzimit të Lelit për të kandiduar si deputet, duke mbajtur postin e kryebashkiakut. Rama e Leli u përballën edhe për mbeturinat, kur në të njëjtën ditë, në të njëjtin vend u shfaqën të dy në aksione pastrimi në Pyllin e Sodës pak muaj më parë.

Leli, siç duket i vënë në dijeni të aksionit të Kryeministrit mblodhi stafin e bashkisë dhe ndërmori një aksion pastrimi në këtë zonë. Pak orë më vonë, në të njëjtin pyll shkon Edi Rama, që sërish gjen mbeturina.

Megjithatë, ndoshta fotot janë e vetmja gjë që i kanë mbetur aktualisht Dritan Lelit, që siç thonë në Vlorë ka kohë që nuk firmos asnjë dokument të rëndësishëm në zyrën që mban.



Video