Kur kanë mbetur më pak se 2 orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për President, për raundin e dytë, duket se edhe ky raund do të ezaurohet pa kandidat duke u djegur pa proces real.
Sipas vendimit të fundit të Konferencës së Kryetarëve raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00, ndërkohë që ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit i kandidaturave.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes mazhorancës dhe opozitës janë kthyer sërish në pikën zero.
Pas dakordësisë që arritën palët në mbledhjen e konferencës së kryetarëve pak ditë më parë, ku opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha dje se mazhoranca ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus.