Opozita protestoi përpara bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të ish-zyrtarëve në kuadër të hetimeve të dosjes 5D. Mes protestuesve ishte edhe vajza e ish kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi e cila mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Lironi liderin e Opozitës”. Në një prononcim për mediat, Malltezi u shpreh se Veliaj nuk është thjesht një kryebashkiak, por edhe kandidat potencial për kryeministër.
“Ky nuk është thjesht një kryebashkiak. Ky është një kryebashkiak që synon të jetë nesër kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë –bis, por një model të shëmtuar të Edi Ramës, një kopje të shëmtuar të Edi Ramës, atëherë mos reagoni; vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë”, tha ajo.
Protestuesit goditën me vezë dhe mollë Bashkinë e Tiranës, teksa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike bëri thirrje për largimin e Veliajt nga drejtimi i kryeqytetit.
“Pa asnjë diskutim përbën shkak dhe ajo që ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës, ku brenda një periudhe të shkurtër i kanë dhënë vetës 22 milionë euro. Është e qartë situata ku ka përfunduar qeverisja qendrore dhe ajo lokale. Veliaj nuk do të duhet që të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por të shoqëronte pesë vartësit e tij në burg. Ky nuk është një rast i shkëputur dhe është e njëjta skemë e përdorur nga drejtuesi i ARRSH dhe është në çdo bashki të vendit që drejtohet nga socialistët", tha Gazmend Bardhi.
Anëtari i këshillit bashkiak nga radhët e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti kërkoi të dorëzonte një kërkesë për mbledhje urgjente për arrestimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
“Kërkesa është zyrtare. Kërkesa është që të zhvillohet një mbledhje urgjente mbi çështjet në fjalë ku kemi të arrestuar drejtues të lartë të bashkisë së Tiranës, kemi drejtues të nivelit, kemi nevojë të bëhet transparencë për Këshillit Bashkiak dhe kjo më pas të bëhet transparente për njerëzit, se kjo është detyra jonë dhe ne po pengohemi të bëjmë detyrën tonë krejtësisht qytetare, nga njerëz të tjerë që janë në detyrë, por marrin urdhra të gabuara.”
Prokuroria e Posaçme lëshoi pak ditë më parë nëntë urdhër-arreste për dosjen e kompanisë ‘5D Konstruksion’, ku dyshohet se ish-zyrtarë dhe zyrtarë të bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë favorizuar këtë kompani në tendera publikë.