
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar se qeveria e PD, në rast se vjen në pushtet, do të ndalojë me ligj veprimtarinë e fondacionit Soros në Shqipëri.
Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha foli për “desorosizimin” e Shqipërisë, dhe sipas tij kjo do të bëhet me ligj.
“Do të ndalohet veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri, si një rrezik i vërtetë kombëtar. Me ligj do ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane. Me ligj do garantohet se kurrë qoftë dhe në referendum, nuk do mundet kush kurrë të luajë me familjen, me prindin, me gjininë, përveç atyre që ka përcaktuar Zoti dhe natyra. Është e domosdoshme të shumëfishojmë energjitë, forcat, për një bashkim të madh dhe të fuqishëm me të gjitha forcat politike që ndihen të përgjegjshme para qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, duke u ndalua tek arrestimit i Erion Veliajt, Berisha tha se lufta midis eksponentëve të Partisë Socialiste është më e egra që mund të ketë shpërthyer brenda llojit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehet i bindur se ata që kanë vjedhur do të përballen me ligjin, duke filluar sipas tij, nga kryeministri Rama. Ai shtoi se arrestimin e Veliajt e ka njoftuar para 2 javësh Ahmetaj pasi sipas tij, informacionet i kishte nga zyra e Kryeministrit Rama.
“Pra, jemi në këto rrethana ku partia e krimit po shkërmoqet. Arrestimin e Erion Veliajt e njoftoi para dy javësh, Arben Ahmetaj. Ai tha se, Edi Rama do ta arrestojë këto ditë. E tha ai se kishte informacionet dhe informacionet ai i ka nga zyra e Ramës, jo nga të tjerët. I gjithë ky skenar që zhvillohet është në kurriz të shqiptarëve. Qytetarët nuk ekzistojnë për Edi Ramën. Ato ekzistojnë vetëm për t’i vjedhë, plaçkitë, për t’i mashtruar. Ky skenar është në kurriz të shqiptarëve. Lufta midis tyre është lufta më e egër që mund të ketë shpërthyer brenda llojit. Rama u mor me diplomën e Këlliçit. Halli i diplomës është tek Lubia. Është një përleshje e egër midis tyre. Këta njerëz kanë pasur si moto “erdhëm, vodhëm dhe ikëm”. Do të përballen me ligjin duke filluar tek Rama tek secili që ka vjedhur”, thotë Berisha.
Ndërkohë për kryeministrin Rama, kreu i demokratëve thotë se është kukull e George Soros.