Kryeministri Edi Rama zbuloi se politikani britanik Nigel Farage i ka kërkuar të vizitojë Shqipërinë më 28 nëntor, një datë që, sipas Ramës, nuk do të ishte shumë e përshtatshme për të.
“Nigel Farage më kërkoi që të vinte në një datë që përkonte me ditën e Pavarësisë dhe i thashë që do të duhet të gjesh një datë tjetër, se do të përballesh me heroin tonë kombëtar dhe do të dukesh shumë i vogël”, tha Rama gjatë një bisedë në panelin Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian.
Farage, një politikan që mbështet rregulla strikte kundër emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, është bërë protagonist vitet e fundit për etiketimet e padrejta ndaj shqiptarëve, ku është përfshirë edhe në replika me kryeministrin Rama.
Rama ironizoi edhe ish-ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Suella Bravermann, e cila sipas tij u mor padrejtësisht me shqiptarët që shkonin në Britani përmes Kanalit të La Manshit.
“Më kujtohen midis gjërave më të çmendura, qesharake, ajo që u quajt referendumi i largimit. Dhe mbaj mend që atëherë ka pasur një poster me një zog të frikshëm që vinte nga Shqipëria për t’i thithur gjakun Britanisë. Premtimi ishte “Largohuni nga Europa dhe ata s’do të vijnë më”. Por çfarë ndodhi? U larguan nga Europa dhe Shqipëria u bë edhe një temë më e madhe”, tha Rama.
“Problemi nuk është emigracioni, por ku të gjejmë një kokë turku për largimin nga BE. Kur dikush që quhej Suella, kur piketoi shqiptarët… Ku është ajo? Mbajeni mend, mos u merr me shqiptarët, sepse nëse ta mallkojnë shqiptarët, zhdukesh”.