Deputetët e Sali Berishës kanë dalë nga ngujimi në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, pasi qëndruan për orë të tëra në errësirë, në përfundim të seancës së sotme plenare.
Ata protestuan sjelljen e qeverisë që sipas tyre i ka penalizuar duke mos i njohur në asnjë mekanizëm të Kuvendit.
E ndërsa prishën seancën e sotme parlamentare, duke bllokuar foltoren dhe duke hipur mbi karriget e ministrave, Kuvendi ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë 26 prej tyre.
Në përfundim të “ngujimit” deputeti Gazment Bardhi ka thënë për mediat se nuk e njeh vendimin e përjashtimit dhe se do të jenë të pranishëm edhe në seancën e radhës.
“Nuk mund të përjashtosh opozitën se kërkon të drejtat e veta, nuk kërkojmë kompromis. Sa kohë opozita nuk lejohet të përmbushë misionin e vetë, as mazhoranca nuk mund të vijojë punën. Thonë për 10 ditë, por deputetët janë përjashtuar për 11 ditë, janë të verbër, firmosin pa lexuar”, deklaroi Bardhi.