
Vendimi i dënimit me burg për Saimir Tahirin ka bashkuar si asnjëherë këto muaj Partinë Demokratike me LSI-në.
Të dyja partitë më të mëdha opozitare e kanë cilësuar vendimin si provë që u dha të drejtë akuzave të tyre dhe akuzat i hodhën për Ramën.
"Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin, dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të struktuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën!", deklaroi Lulzim Basha.
“Sot, ne kemi një drejtësi të vonuar. Por ajo që është më e rëndësishme nuk është burgu i Saimir Tahirit apo dënimi Saimir Tahirit sesa kush është ideatori apo urdhëruesi i Saimir Tahirit. Ne jemi koshientë që të kanabizosh një vend të tërë dhe ta kthesh në një nga pikat më problematike të drogave të rënda të gjithë rajonit. Nuk mund të bëhet thjesht me urdhër të një ministry që e adhuronte shefin e tij, që ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.