Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, zbuloi sonte se brenda ditës së martë do të kemi rezultatin përfundimtar të votimeve, për partitë dhe kandidatët.
“Ka filluar numërimi në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Kukësit. Në fazën e internetit të KQZ, gjen informacione në kohë reale për vendin dhe për votimet nga jashtë.
Besoj që brenda ditës së martë do e kemi rezultatin, si për partitë dhe për kandidatët. Ia kemi dalë në 2021 dhe mendoj se do ia dalim edhe këtë herë”.
Votimin në diasporë, Celibashi e cilësoi si të suksesshëm, ndërsa shtoi se ka besim se këtë vit do të ketë më pak vota të pavlefshme sesa në zgjedhjet e kaluara.
“Votimi nga jashtë ka qenë sukses. Jemi duke vlerësuar. Në tërësi si proces ka qenë i suksesshëm. Jemi duke vlerësuar çdo pretendim. Të shohim sa do të qëndrojnë këto me provat që palët kanë. Kemi pasur komunikime të vazhdueshme për të gjitha problematikat, jemi në proces. Ka pak gjëra për tu adresuar ndryshe, sa i përket votimit nga jashtë. Ka shumë punë për të bërë, por nuk mendoj se është sot nata për këtë.
Kemi besim se në këto zgjedhje do të kemi më pak vota të pavlefshme se në vitin 2021. Nga eksperienca, zgjedhjet e vitit 2003 mund të them se kanë qenë më të vështirat. Dita e sotme mund të konsiderohet si një nga ditët më të qeta sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri”, deklaroi Celibashi.
Ndërkohë, Celibashi ka deklaruar se për momentin votat e diasporës për qarkun Korçë janë bllokuar, pasi përfaqësuesit e PD nuk pranojnë që të nisin numërimin sepse kërkojnë veçimin e votave nga Greqia.
Ai tha se do të presin dhe pak për zhbllokimin e procesit.
“Mesa duket mesazhet që përcollëm në përfundim të procesit të votimit nuk kanë rezonuar shumë mirë për të gjithë. Po e vlerësojmë këtë situatë. Kemi komunikuar me grupet e numërimit për ta zgjidhur këtë situatë sepse është në kompetencën e tyre.
Nëse nuk marrin vendim, këtë vendim e merr komisioni i administrimit të votave nga jashtë. Për qarkun e Korçës e kemi situatën e bllokuar, do të marrim një vendim në lidhje me këtë situatë shpejt. Nuk është mirë që përfaqësues politik angazhohen në procesin e numërimit. Ndërhyrjet në proces janë të papranueshme”, tha Celibashi.