Brukseli i vë "kusht" Ballukun, Edi Rama: Jemi shumë pranë BE-së

30 March 2026, 15:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Brukseli i vë "kusht" Ballukun, Edi Rama: Jemi shumë

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka hyrë në një fazë më dinamike dhe të përshpejtuar.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “EstOvest” në RAI, ku foli për ecurinë e negociatave dhe marrëdhëniet strategjike të vendit.

Sipas Ramës, përshpejtimi i procesit lidhet si me përmbushjen e reformave nga ana e Shqipërisë, ashtu edhe me një klimë më të favorshme në Bruksel për zgjerimin e BE-së.

Ai theksoi se ambicia për anëtarësim është një objektiv i kahershëm, por aktualisht ka marrë një shtysë të re përpara.

Vetëm se, ajo që nuk tha Rama, është fakti se Brukseli i ka vënë kusht Ballukun, për të cilën ai ka sfiduar drejtësinë.

Nëse nuk i hapet rruga gjykimit të saj, rruga për në BE është një mirazh.

Në intervistë, kreu i qeverisë vuri theksin edhe te marrëdhëniet me Italinë, duke e cilësuar atë si mbështetësin kryesor të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar ndjeshëm vitet e fundit.

Një nga projektet më strategjike të përbashkëta është Korridori VIII, i cili synon të lidhë brigjet e Adriatikut me Detin e Zi, duke krijuar një aks të rëndësishëm transporti dhe sigurie për rajonin.

Rama theksoi se projekti ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

Në të njëjtën linjë, ambasadori italian në Tiranë, Marco Alberti, e cilësoi Korridorin VIII si një projekt paneuropian me rëndësi të madhe, që përfshin transportin rrugor, hekurudhor, portet, aeroportet dhe digjitalizimin, duke rritur ndërlidhjen dhe sigurinë në rajon.

Rama u ndal edhe te projekti i linjës nënujore energjetike me vlerë rreth 1 miliard euro, që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, në kuadër të një marrëveshjeje trilaterale me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai e konsideroi këtë një projekt strategjik jo vetëm për dy vendet, por për gjithë Europën.


Video