Kjo e martë është një ditë e shënuar për Shqipërinë dhe rëndësinë e saj në rajon, por edhe më gjerë. Sot në kryeqytet do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor duket se është kthyer në një çështje primare të bllokut, kjo për shkak të agresionit të Rusisë mbi Ukrainë dhe rritjes së tensioneve.
Ky takim do të jetë një ditor, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një moment historik për vendin tonë. Rama shtoi se takimi njëditor është tregues i interesit gjeostrategjik që Evropa ka ndaj rajonit. Megjithatë i pari i qeverisë nuk i ka kursyer edhe kritikat për BE, për zvarritjen e procesit të zgjerimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballuar prej vitesh me një ngecje të këtij procesi.
Blindohet Tirana
Ditën e sotme Tirana do të jetë e ‘blinduar’ nga masat e rrepta të sigurisë të marra për mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Duke nisur nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 do të jenë të bllokuar akset "Rinas Qafë- Kashar, autostrada Tiranë-Durrës, sheshi ‘Shqiponja’, unaza e Astirit, Kopshti Botanik, rrethrrotullimi i Saukut, rrethrrotullimi te ‘Varrezat e Dëshmorëve’, rruga e Elbasanit deri në urën e ‘Elbasanit’.
Në akset e lartpërmenduara nuk do të lejohet qarkullimi i makinave dhe as parkimi. Gjithashtu do të jenë të bllokuara edhe rrugët që lidhin rrugën e Elbasanit me rrugën ‘Papa Gjon Pali II’.
Sa i përket kalimit të banorëve të zonës në zonat e perimetrit të sigurisë, policia ka lajmëruar se nuk do të ndalohet kalimi i këmbësorëve në zonat e perimetrit të sigurisë. Ndërsa, për punonjësit e institucioneve dhe subjekteve që ndodhen në perimetrin e ngushtë të sigurisë rreth stadiumit ‘Air Albania’ do t’u kërkohet edhe karta e identitetit.

Perimetri i Sigurisë kap këto akse:
-Bulevardi “Dëshorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;
-Rruga “Dervish Hima”;
-Rruga “Asim Zeneli”;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Skerdilajd Llagami”
-Rruga “Faik Konica”.
-Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;
-Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
-Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë - Fushë Krujë – Vorë”.