“Bizneset do klasifikohen”, Rama: Jo më gjoba të befasishme, do kryejmë reformën e Inspektorateve

14 Maj 2024, 16:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij nga Shtëpia e Biznesit tek "Piramida", deklaroi se shteti shqiptar do të bëjë më shumë kundër korrupsionit.

Rama tha gjatë fjalës së tij se bizneset do të klasifikohen. Ai tha se nuk do të ketë më gjoba të befasishme, duke shtuar se do të kryhet reforma e Inspektorateve.

"Ne kemi një luftë shtetbërjeje, që hapësira e korrupsionit të ngushtohet. Dikur korrupsioni ishte kapilar. Na ndihmon dija e fituar në këto vite, por edhe dija e Bashkimit Europian. Duhet të kryejmë reformën e Inspektorateve. Ato do të jenë autonome prej ministrive. Duhet të ndryshojmë figurën e inspektorit. Nuk do jetë trup që edhe do vendosë gjoba, edhe do marrë ankesa. Do ketë edhe Komisione Apelimi të përfaqësuesve të biznesit, në mënyrë transparente dhe kolegjiale, për të kaluar një barrikadë, që nuk kapërcehet kaq lehtë sa ç’kapërcehet sot.

Do të vendosim parimin “jo gjobë në vizitën e parë”. Kjo do ta bëjë të pamundur që të vihet një gjobë në mënyrë të papritur. Është shteti që i shërben biznesit, për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të drejtë. Vizita e parë ka vetëm këshillim dhe regjistrim të problemit. Herën e dytë do të rikthehet një trup, që është e monitoruar ndërkaq. Bizneset do të klasifikohen, pasi sekush ka nivelin e tij të suksesit. Bizneset që do jenë korrekte në raport me shtetin, nuk do të kontrollohen, do jenë në fashën A të bizneseve dhe askush nuk mund të bëjë kontroll, pasi kanë treguar në proces kohor se i janë përmbajtur rregullave", tha ndër të tjera Rama.

Video