Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar sot situatën e rëndë, sipas tij, të turizmit në vend.
Berisha pretendoi në një konferencë për mediat se qeveria mashtron me shifrat e turistëve, ndërsa shtoi se shkak kryesor është zhvlerësimi i euros dhe dollarit nga hyrja e parave të pista të krimit.
Berisha gjithashtu tha se vendi ynë nuk ofron turizëm elitar, pasi përveç hoteleve, nuk e ofron infrastukturën e duhur në zonat turistike.
"Nuk është vetëm kjo, ka një mekanizëm të tretë se si narkoeuro, toksinë e turizmit, po e dëmton në mënyrë të pariparueshme turizmin në Shqipëri. Narkost, këta lejtnantë të regjimit, që ndërtojnë resorte, hotele, restorante ultraluksoze, nuk kanë qëllim kryesor fitimin me investimin e tyre.
Qëllimi i tyre më madhor është larja e parave të krimit të tyre. Ata vendosin çmime nga më absurdet. Ata deformuan në mënyrë të pamëshirë turizmin shqiptar me shezlonge nga 100 gjer në 500 euro. Me kabana gjer në 2 mijë, 4 mijë euro", tha ndër të tjera Berisha.
"Imagjinoni ju se çfarë hipokrizie e madhe është gjetja e turizmit elitar dhe e paraqesin në mediat e tyre kaltërsitë e Jonit apo Adriatikut, sikur turistët elitarë jetojnë me kaltërsi në një vend që nuk ka një fushë të vetme golfi, në një vend ku gjahu është i ndaluar, në një vend ku operatorët turistikë nuk ofrojnë dot asnjë lloj programi të vërtetë kulturor, turistik apo vizita në zonat e trashëgimisë kulturore botërore.
Pra, ata të cilët flasin për turizëm elitar, ata kërkojnë që me një piramidë mashtrimi të mbulojnë dështimin e madh të turizmit për shkak të narkoeuros si toksinë e tij. Shtoj këtu se turizmi, ky potencial përrallore ekonomik i shqiptarëve, është shndërruar në një ndëshkim të vërtetë për ta", u shpreh ai.