SPAK mbylli hetimet, reagon Meta: Asgjë e re nga takimi me prokurorët. Të hetohen kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së

4 Gusht 2025, 15:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK.

Në një postim në rrjetet e tij sociale, Meta thotë se përshëndet mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve, siç ai i quan.

“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019. Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut”, shkruan Meta.

Meta theksoi se gjatë takimeve me prokurorët janë ngritur kërkesa konkrete për hetime të mëtejshme:

“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.”

Ai vlerëson se mos-hetimi në këto dy drejtime është një “pasojë e një diktati politik” dhe shton se nga ana ligjore dhe profesionale ky është një proces i thjeshtë dhe i domosdoshëm.

“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh”, përfundon Meta.

 

 


Video