Berisha pati kritikuar tubimin pro Veliajt, PD thërret nesër protestë para SPAK

16 Shkurt 2025, 20:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha para mbeshtetesve te tij para SPAK

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha do të paraqitet të hënën në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Kryetari i PD-së Sali Berisha do të duhet të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Sakaq, PD me anë të një mesazhi të shpërndarë në forumet e partisë ka kërkuar mobilizim për Berishën.

“Te dashur miq. Nesër ditën  e hënë ne ora 9:30 serish Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jete ne dyert e SKAP. Ju lutem te mobilizojmë strukturat e degëve për te qene te gjithë aty. Ne orën 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e Partisë Demokratike drejtuar forumeve.

Ironia qëndron në faktin se Sali Berisha pati kritikuar ashpër tubimin e mbështetësve të Erion Veliajt pranë godinës së SPAK në momentin që për kryebashkiakun po jepej vendimi i gjykatës.

Para tre ditësh, në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos guxojë të protestojë më para SPAK, pasi në të kundërt do të kundërpërgjigjet me protesta përfundimtare për të.

“Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot”.

Berisha e cilësoi të turpshme organizimin e protestës para institucioneve të drejtësisë dhe tha se me këtë akt, Rama u dëshmoi shqiptarëve se do një drejtësi të nënshtruar në këmbët e tij.

Ai e quajti grumbullimin në mbështetje të Veliajt si “sulm kriminal nga narkoshteti ndaj institucioneve të drejtësisë”.

Video